Ngritja e jashtëzakonshme e Mbappes: Nga një i panjohur në kampion bote

Futboll

Ngritja e jashtëzakonshme e Mbappes: Nga një i panjohur në kampion bote

Më: 1 janar 2019 Në ora: 10:40
Kylian Mbappe

Kylian Mbappe ishte një i panjohur para dy viteve, mirëpo brenda një kohe kaq të shkurtër ai e bëri një rrugëtim të jashtëzakonshëm nga të qenit një rezervist në Monaco në shndërrimin në yll të Paris Saint-Germainit dhe triumfit në Kupën e Botës.

Kylian Mbappe, i cili e festoi ditëlindjen e tij të 20-të më 20 dhjetor, është padiskutim talenti i ri më i përfolur dhe më i kërkuar në botë, transmeton Gazeta Express.

Pasi u largua nga Monaco në PSG në një marrëveshje që e bëri atë lojtarin e dytë më të shtrenjtë në histori të futbollit, pas bashkëlojtarit të tij Neymarit, Mbappe ka vazhduar të përmirësohet çdo ditë e më shumë.

Para dy viteve, ai ishte duke garuar për ta zënë një vend në formacionin e parë të Monacos, mirëpo këtë muaj ai përfundoi i katërti në listën për kandidatët për Topin e Artë, duke e lënë prapa pesë-herë fituesin, Lionel  Messin.

Për shkak të kësaj ngritjeje të jashtëzakonshme, Omnisport i ka publikuar momentet kyçe të karrierës së 20-vjeçarit, i cili e ka pushtuar Evropën, ka fituar shumë tituj dhe është bërë i njohur si një ndër më të mirë në botë brenda një kohë shumë të shkurtër.

Zëvendësimi i Henrys në librat e rekordeve

Shpejtësia e frikshme, teknika inteligjente dhe saktësia para portës kanë bërë që Mbappe të krahasohet shpeshherë me bashkëkombësin e tij, Thierry Henryn, i cili tani është trajner i ish-klubit të tij.

Henry ishte lojtari më i ri që kishe luajtur në një ndeshje të Ligue 1, si dhe ishte lojtari më i ri që kishte arritur ta shënonte një gol në këtë ligë. Megjithatë, ky rekord ish-sulmuesit të Arsenalit nuk i zgjati shumë, pasi që Mbappe ia theu të dy këto rekorde.

Talenti i zbuluar përmes het-trikeve

Përkundër që dukej mjaft premtues, Mbappe luajti një rol të vogël gjatë vitit 2016, pasi inkuadrohej në fushë vetëm si zëvendësim. Ai i shënoi tri gola në 12 ndeshje para se të emërohej në formacion të parë për ndeshjen kundër Rennes.

Të qenit titullar ishte një motiv mjaftueshëm i madh për francezin, i cili e kishte synim ta shfrytëzonte këtë gjë për ta dëshmuar këtë gjë. Pikërisht këtë gjë arriti ta bëjë, kur e shënoi një het-trik brenda vetëm 60 minutave. Monaco e fitoi ndeshjen me rezultat 7-0 dhe ky ishte vetëm fillimi për Mbappen.

Pushtimi i Ligue 1

Mbappe e shtoi edhe një top në koleksionin e tij pas het-trikut që e shënoi kundër Metzit në shkurt të vitit 2017. Atë sezon ai arriti t’i shënojë 20 gola për 23 paraqitje në të gjitha garat. Suksesi për Mbappen nuk përfundoi aty, pasi që ai arriti t’ia sigurojë skuadrës së tij fitoren kundër Saint-Ettiene, fitore kjo e cila ia siguroi Monacos edhe titullin e Ligue 1.

Depërtimi në Ligën e Kampionëve.

Përderisa francezi ishte duke triumfuar në Francën dhe ishte në një formë të jashtëzakonshme, trajneri Leonardo Jardim vendosi se tanimë kishte ardhur koha që ta prezantonte Mbappen në garën më prestigjioze të Evropës, Ligën e Kampionëve.

Mbappe arriti ta shënojë një gol në debutimin e tij, të cilën Monaco e humbi me rezultat 5-3 kundër Manchester Cityt. Francezi kishte shënuar edhe në ndeshjen kthyese, ku francezët kishin fituar me rezultat 3-1.

Ai arriti t’i shënojë edhe tri gola të tjera në dy xhirot e çerekfinales kundër Dortmundit, si dhe në gjysmëfinale kundër Juventusit. Për shkak të paraqitjeve të tij, ai e fitoi një vend përkrah Cristiano Ronaldos, Lionel Messit, Antoine Griezmannit dhe Robert Lewandowskit në formacionin e vitit të UEFA-s, përcjell Gazeta Express.

PSG-ja dhe Monaco bien ujdi për 180 milionë euro

Ishte e qartë se Monaco do ta kishte të vështirë ta mbante Mbappen në skuadër dhe për këtë arsye klubi e pranoi ofertën prej 180 milionë eurove të PSG-së. Marrëveshja mes dy klubeve ishte fillimisht për një huazim njëvjeçar. Mbappe i shënoi 13 gola, duke i ndihmuar PSG-së ta fitojë tripletën e Francës.

Mbappe tanimë është afër për ta mposhtur këtë shifër, përkundër që ka kaluar vetëm gjysma e sezonit. Deri më tani këtë sezon, francezi ka arritur t’i shënojë 12 gola. Paraqitjet e tij i kanë ndihmuar që të fitojë edhe cmime individuale, si çmimi Kopa Trophy.

Ndikimi ndërkombëtar

Trajneri i Kombëtares së Francës, Didier Deschamps, nuk humbi aspak kohë për ta bërë Mbappen pjesë kyçe të sulmit të “Les Blues” dhe i riu i talentuar luajti një rol të rëndësishëm në triumfin e kësaj vere në turneun e Kupës së Botës në Rusi.

Mbappe arriti t’i shënojë katër gola në këtë garë, duke përfshirë këtu edhe golin e katërt në fitoren me rezultat 4-1 në finalen e Kupës së Botës kundër Kroacisë. Ai u bë lojtari më i ri që arriti të shënojë në finale të Botëror, që nga Pele. Për shkak të kësaj, arriti ta fitojë çmimin për lojtarin më të mirë të ri të këtij turneu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat