Kastrati: Me një president korrekt dhe me ‘Skifterat’, Gjilani më i fortë!

Futboll

Kastrati: Me një president korrekt dhe me ‘Skifterat’, Gjilani më i fortë!

Nga: Kemajl Goca Më: 4 janar 2019 Në ora: 16:49
Ylber Kastrati me presidentin e klubit Florim Zuka

Stinori pranveror pothuajse për asnjë skuadër nuk sjellë qetësi! Secila ballafaqohet me telashet e veta. Skuadra e futbollit Gjilani ka ngec në luftë për titull, por ka edhe një shkëputje me pikë nga ato të rrezikuarat. Megjithatë, pjesës së dytë të kampionatit nuk i dihet dhe mund të ndryshojë edhe harta e renditjes!  Gjilani është në vend të katërt me 27 pikë, 13 me pak se kampioni vjeshtor Prishtina dhe gjashtë me shumë se pozita e nëntë (Ballkani), pozitë që shpie në barazh për të luftuar për mbijetesë. Kapiteni i Gjilanit, Ylber Kastrati, ka deklaruar se me një president korrekt dhe me ‘Skifterat’, skuadra është më e fortë! Qendërmbrojtësi është optimist se do të arrijnë rezultate të mira.

“Bota sot”: A mendoni se Gjilani do të jetë më i fortë për pjesën e dytë të kampionatit?

Ylber Kastrati: Duke filluar nga ne lojtarët po ashtu edhe kryesia, Shtabi Teknik, gjithmonë synimet janë që pjesa e dytë e kampionatit të jetë më e mirë se e para. Kemi mësuar shumë nga pjesa e parë edhe ne si lojtar po ashtu edhe kryesia dhe shpresoj dhe besoj që do të jemi të përgatitur, që të japim më shumë se në pjesën e parë të kampionatit.

“Bota sot”: A shpresoni se do ta ruani vendin e katërt?

Ylber Kastrati: Besoj në këtë grup lojtarësh, ne korrektësinë absolute te presidentit të klubit, Florim Zuka, si dhe përkrahjen e tifozëve “Skifterave”, që janë faktorë të cilët e bëjnë funksional një ekip në këto kushte, jam i bindur që do të mundohemi të luftojmë edhe për më lartë.

“Bota sot”: Cilat janë synimet në vazhdim të kampionatit?

Ylber Kastrati: Tani më dihet, ne jemi të fokusuar vetëm në ligë dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën, po ashtu t’i përmirësojmë gabimet që kemi bërë në pjesën e kaluar dhe të jemi sa më të fuqishëm.

“Bota sot”: A e keni presionin se mund të rrezikoheni edhe për largim nga elita?

Ylber Kastrati: Edhe pse jemi në pozitën e katërt, diferenca me pikë është e ngushtë, sidomos me barazhin. Nuk besoj që në klubin tonë ka hapësirë për frikë nga barazhi, por gjithsesi ne do japim maksimumin, do të jemi të fokusuar për çdo pikë.

“Bota sot”: Cila është sfida më atraktive gjatë pranverës për Ju si kapiten?

Ylber Kastrati: Liga fillon me derbin vendas, me derbin më të madh në vend, kundër Dritës. Fillimisht, kjo është sfida për t’u fituar, tjerat do të vijnë me rend. Në fund, e kam detyrim moral për ta përmendur korrektësinë e presidentit Florim Zuka, me kompaninë e tij ‘Tali, për sa kohë ka ardhur në klub tek ne, vërtet sa i përket financave, kushteve dhe gjërave tjera që kanë të bëjnë me sponzorizim, janë në nivel dhe në korrektësinë maksimale.

Vërtet Florim Zuka, presidenti ynë, është një shembull i korrektësisë së futbollit, madje edhe i gjithë sportit në Kosovë. Gjithashtu duhet të falënderoj dhe ‘Skifterat’, që kanë qenë në nivel se në sezonin që e lamë pas dhe shpresoj që qysh në fillim të sezonit t’i gëzojmë. E meritojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat