Wanda Nara e kushtëzon Interin

Futboll

Wanda Nara e kushtëzon Interin

Më: 4 janar 2019 Në ora: 22:25
Wanda Nara dhe Mauro Icardi

Është një moment pushimesh, të paktën deri më datën 7 janar, kur futbollistët do t’u rikthehen stërvitjeve, por drejtuesit e Interit nuk mund të jenë aspak të qetë, pasi kanë shumë çështje për të zgjidhur.

Ndonëse kanë deklaruar se në afatin aktual kalimtar nuk do të përfshihen shumë, rinovimi me disa prej futbollistëve, veçanërisht me kapitenin Mauro Icardi, mbetet një angazhim kyç për Giuseppe Marottan dhe Piero Ausilion.

Drejtuesit zikaltër kanë planifikuar që tani një takim me Wanda Naran, bashkëshorten dhe menaxheren e sulmuesit të Interit, me të cilën do të diskutojnë nga afër për kushtet e reja të kontratës.

Oferta e fundit e Interit për Mauron ka qenë 7 milionë euro në sezon dhe heqjen e klauzolës së prishjes së kontratës për shumën e 110 milionë eurove, por Wanda ka refuzuar prerazi, duke kërkuar të paktën 9 milionë euro dhe vetëm rritjen e klauzolës me 20 apo 30 milionë euro.

Përveç diferencave ekonomike, mes palëve ka pasur edhe disa replika në distancë gjatë muajit dhjetor, të cilat kanë prishur disi atmosferën e komunikimit, dhe tashmë as optimizmi i Marottas nuk duket plotësisht i mjaftueshëm.

Palët janë rreth 2 milionë euro larg, por më shqetësuese duket çështja e klauzolës, të cilën zikaltrit nuk e duan, por që Wanda dhe Mauro e kërkojnë me çdo kusht, qoftë edhe më të lartë se ajo aktualja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat