Çmimi paguhet me kokën tuaj

Futboll

Çmimi paguhet me kokën tuaj

Më: 5 janar 2019 Në ora: 16:31
Ernesto Valverde

Ernesto Valverde, trajneri 54-vjeçar, nxiti thashethemet se ai mund të vendosë të largohet nga drejtimi i Barcelonës, kur tha për kanalin televiziv të klubit se nuk e di se çfarë do të bëjë sezonin e ardhshëm.

Kontrata aktuale e Valverde nuk skadon deri në vitin 2020, por si ai, edhe klubi, kanë mundësinë ta përfundojnë marrëveshjen një vit më herët. "Është e vërtetë se kontrata ka një vit opsional dhe ne do të vendosim, - u tha Valverde gazetarëve, përpara përplasjes së skuadrës së tij me Getafe, në La Liga.

 - Ne do të jemi në një pozitë më të përshtatshme për t’i vlerësuar gjërat më vonë. Ka një rregull të pashkruar në futboll për trajnerët, sidomos në një klub si Barcelona: kur nuk fitoni, çmimi paguhet me kokën tuaj, por kam një kontratë".

Barcelona është e distancuar me tri pikë nga ndjekësi më i afërt, në krye të La Liga-s, pas 17 ndeshjesh dhe Valverde është në rrugën e duhur për t’i udhëhequr katalanasit drejt fitimit të titullit të dytë radhazi, nën rejtimin e tij.

Ai përsëriti se ka një marrëdhënie të fortë me drejtuesit e klubit, por nënvizoi se vendimi për të ardhmen nuk do të ishte vetëm i tij: "Nuk them se duhet të vendos vetëm unë. Kemi një kontratë dhe do ta respektojmë të dyja palët".

Duke folur përpara ndeshjes me skuadrën e vendit të shtatë, ai shtoi: "Getafe ka një skuadër të fortë, që krijon presion të fortë ndaj kundërshtarëve. Eshtë bindëse në lojën e saj. Getafe po lufton për një vend në Europë dhe do të jetë kundërshtar i ashpër për ne".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat