Zhdrella: Llapi është përforcuar pak a shumë

Futboll

Zhdrella: Llapi është përforcuar pak a shumë

Nga: Kemajl Goca Më: 6 janar 2019 Në ora: 15:49
Zhdrella

Llapi nga Podujeva vlerësohet prej skuadrave që do të luftojë për titullin e kampionit në elitën e futbollit të Kosovës. Llapjanët mëtojnë të janë sa më të përgatitur për pjesën e dytë të kampionatit dhe të ngjiten në krye të renditjes. Skuadra llapjane renditet në vend të tretë me 35 pikë, ka pesë me pak se kampioni vjeshtor Prishtina dhe katër se Feronikeli që mban pozitën e dytë. 

Mesfushori më i mirë në vendin tonë, Mentor Zhdrella, shprehet se diferenca mes të parit dhe pozitës së tretë nuk është e madhe. Ai beson e shpreson se pranvera do të jetë interesante jo vetëm mes skuadrave që luftojnë për titullin e kampionit. ”Atmosfera si gjithmonë është mirë në klub, harmoni e shkëlqyeshme e disiplinë dhe punohet me zell të shtuar”, tha Zhdrella për gazetën kombëtare “Bota sot”.   

Zhdrella ka përmendur dy skuadra që janë si kandidate kryesore për titullin e kampionit. Llapi ngec për pesë pikë nga lideri, a është e arritshme? “Nuk janë shumë pikë, pesë pikë larg kreut. Por mendoj që pretendentët kryesorë për titull janë Prishtina dhe Feronikeli. Ne do të luajmë pa presion, do të japim maksimumin dhe do të bëjmë lojëra të mira për tifozë”, përgjigjet futbollisti. Mesfushori premton si gjithmonë maksimumin: “Mendoj që duhet secili lojtar të jap gjithçka nga vetja, që të jemi sa më lart në tabelë”. A është Llapi më i kompletuar e më i fortë se në vjeshtë? “Llapi është përforcuar pak a shumë në disa reparte. Është një trajner i ri që ka punuar me skuadra edhe jashtë vendit, Xhengiz Rexhepi dhe besoj që përvoja e tij dhe puna profesionale do të na ndihmoj shumë”, tha Zhdrella.

Prandaj, llapjanët me trajnerin e ri punojnë me një qëllim që të janë sa më të gatshëm për pjesën e dytë të kampionatit. Të gjithë janë të vetëdijshëm se sa e nxehtë do të jetë pjesa pranverore në luftë për titullin e kampionit. Sipas renditjes, vetëm tri skuadra (Prishtina, Feronikeli dhe Llapi) janë në luftë shumë të ashpër për titullin e kampionit. Megjithatë, pranvera mund të sjellë edhe befasi tjera për të mirë, por edhe ndonjë skuadër të dështojë në synimet e saja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat