Hazardi e ka një mesazh serioz për tifozët e Chelseat

Futboll

Hazardi e ka një mesazh serioz për tifozët e Chelseat

Më: 8 janar 2019 Në ora: 13:40
Eden Hazard

Ylli belg i Chelseat, Eden Hazard, ka kërkuar nga tifozët e klubit të tij që të sillen mirë gjatë ndeshjes kundër Tottenhamit, e cila do të zhvillohet sonte në Wembley, në kuadër të gjysmëfinales së Carabao Cup.

Tifozët e Chelseat janë kritikuar shumë gjatë këtij sezoni pas një numri të madh të incidenteve, përfshirë këtu edhe abuzimin në baza racore që i ishte bërë Raheem Sterlingut të Manchester Cityt muajin e kaluar.

Kjo u ndoq nga një situatë tjetër të ngjashme në një ndeshje të Evropa Ligës në Hungari, kur një pjesë e tifozëve të Chelseat, që kishin udhëtuar për ta përcjellë atë ndeshje, u akuzuan se kishin bërë thirrje kundër çifutëve në drejtim të Tottenhamit.

Dy klubet, Tottenhami dhe Chelsea, do të përballen sonte në stadiumin kombëtar të Anglisë, Wembley, dhe në këtë ndeshje pritet të ketë masa të shtuara të sigurisë, dhe rojet e sigurimit janë udhëzuar që të jenë shumë të vëmendshëm ndaj thirrjeve raciste.

“Thjesht shikojeni ndeshjen dhe shijojeni atë. Sigurisht, pas ndeshjes, një ekip do të fitojë dhe një ekip do të humbasë. Tentoni të bëheni më të drejtë”, u ka thënë belgu tifozëve të Chelseat para ndeshjes që zhvillohet sonte.

“Më pëlqejnë të gjithë tifozët, Tottenhami ka gjithmonë tifozë që sillen mirë si mysafir. Mendoj se kjo është një ndeshje e mirë për ta luajtur dhe shpresoj që të dy grupet e tifozëve do ta shijojnë ndeshjen”.

“Natyrisht, shpresoj se tifozët do të shfaqin respekt. Ky lloj i tifozëve [që u bashkohen thirrjeve raciste] nuk janë tifozë të futbollit. Kur ne jemi lojtarë, jemi shembuj. Edhe tifozët janë shembuj. Dua që tifozët e Chelseat të jenë më të mirët në botë”.

“Nuk dua ta shoh këtë imazh të keq për tifozët e Chelseat, natyrisht. Në futboll në përgjithësi, jo vetëm tifozët e Chelsea, por edhe në Itali shohim shumë gjëra të tilla. Dua që këto të zhduken të gjithë”.

“Është e vështirë sepse futbolli është një botë e madhe, por nëse ne ecim përkrah njëri-tjetrit hap pas hapi, lojtarët, trajnerët dhe gazetarët, atëherë në mund të arrijmë diçka. Dua që njerëzit ta mbajnë mend këtë ndeshje”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat