Arbër Zeneli: Kam treguar vetëm 65% të aftësive të mia deri tani

Futboll

Arbër Zeneli: Kam treguar vetëm 65% të aftësive të mia deri tani

Më: 9 janar 2019 Në ora: 09:42
Arbër Zeneli

Arbër Zeneli dëshiron që nganjëherë të mos mendojë shumë, por thjesht të luajë me liri të plotë dhe ta shijojë futbollin e tij. Në këtë mënyrë, thotë futbollisti më i mirë i Kosovës, tifozët e skuadrës së tij holandeze, Heerenveen, do ta shihnin se çfarë është në gjendje të bëjë ai.

Sot tri vite më parë, Arbër Zeneli e bëri debutimin e tij jozyrtar në fanellën e Heerenveenit. Në një ndeshje përgatitore kundër Telstar, ai i tregoi aftësitë e tij. Tani, tri vite më vonë, anësori 23-vjeçar thotë se dëshiron të vendosë bazën për një pjesë të dytë të suksesshme të këtij sezoni.

“Kur e krahasoj veten me Arbër Zenelin e asaj kohe, kam një ndjesi të dyfishtë. Në anën tjetër, unë jam rritur si person. Duke qenë larg familjes dhe duke u varur nga vetja ime, kam mësuar të marrë më shumë përgjegjësi dhe të kujdesem për veten, gjë që është e mirë. Ama deri tani nuk e kam treguar gjithë potencialin tim në futboll duke luajtur në Heerenveen”, tha Zeneli.

Kosovari ka statistika shumë të mira deri tani këtë sezon. Ai i ka shënuar tri gola dhe i ka dhuruar tetë asiste. Pra, Arbëri ka qenë më produktiv se çdo lojtar tjetër i Heerenveenit.

Ai ndien se mund të luajë shumë më mirë se deri tani, duke insistuar se i ka treguar vetëm 65% të aftësive të tij deri tani.

“Mund të luaj shumë më mirë. Dua të shënoj gola më shpesh. Kam treguar vetëm 60 apo 65% të aftësive të mia”, shtoi ai.

Kjo gjë, thotë Zeneli, është tejet irrituese, duke zbuluar se mendimet e tepërta mbase janë pengesë që ai t’i tregojë plotësisht aftësitë e tij.

“Shkaktari? Nuk e di, e kam shumë të vështirë ta kuptoj, ama nganjëherë mendoj shumë. Kjo nuk është në të mirë të lojës sime”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat