Barcelona, ky klub i madh që “vjedh” pa dinjitet

Futboll

Barcelona, ky klub i madh që “vjedh” pa dinjitet

Më: 9 janar 2019 Në ora: 11:40
Jean-Clair Todibo

Dje, Barcelona zyrtarizoi marrëveshjen me Jean-Clair Todibo, mbrojtësin 19-vjeçar të Toulouse, të cilit i skadon kontrata në korrik të këtij viti. Që pas këtij muaji talenti do veshë fanellën blaugrana, por kjo marrëveshje ka lënë shije tepër të hidhur tek drejtuesit e Toulouse, që e kanë vlerësuar një “thikë pas shpine” publikimin e marrëveshjes.

Presidenti i klubit, Olivier Sadran nuk i ka kursyer akuzat ndaj klubit spanjoll në një intervistë për gazetën franceze L’Equipe: “Në këndvështrimin tim, lojtari është këshilluar keq. Sepse ai ka luajtur vetëm 10 ndeshje në Ligue 1. Barça nuk është treguar korrekte ashtu siç duhet të jetë”, tha fillimisht Sadran.

Ai mendon se klubi katalanas e ka zyrtarizuar më shpejt seç duhet marrëveshjen me lojtarin, madje ai beson se Barcelona ka hyrë në kontakt me lojtarin para se të arrijë akord me Toulouse. Situatë e ngjashme me atë të Adrien Rabiot, për të cilën kryesuesit e La Liga u kritikuan ashpër nga opinioni sportiv, sidomos nga drejtuesit e klubeve, të cilët iu druhen talenteve të tyre se mund të bien në kontakt me agjentët nga “Camp Nou”.

 “Ata nuk u sollën si një klub i madh, ata zyrtarizuan se lojtari do mbërrijë në korrik, por unë nuk e di se çfarë mund të ndodhë në gjashtë muajt e ardhshëm. Jeta rezervon surpriza, edhe nga ato më delikatet”, shtoi më tej presidenti i Toulouse.

 Në fund ai pranon gabimin e tyre duke mos i rinovuar kontratën talentit të tyre, por nuk ndalet të akuzojë Barcelonën për shpalljen e marrëveshjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat