Shumë e duan, por asnjë nuk i afrohet dot

Futboll

Shumë e duan, por asnjë nuk i afrohet dot

Më: 12 janar 2019 Në ora: 11:40
Dybala

“Aksi” Torino-Madrid ka qenë në gjendje të na prodhojë transferta historike në të kaluarën. Në vitin 2001, Zinedine Zidane kaloi nga bardhezinjtë te Real Madridi për një shifër rekord (për kohën), 160 miliardë lireta. Verën e kaluar goditi Cristiano Ronaldo, që mori rrugën e kundërt, drejt Juventusit, për pak më shumë se 100 milionë euro.

Marrëdhëniet mes këtyre dy klubeve janë të mira, çka mund të garantojë operacione të reja në të ardhmen e afërt. Mendimi i parë shkon për Isco, lojtar i cili është aktualisht i pikëlluari kryesor në “Santiago Bernabeu” dhe duket i etur për ta lënë kryeqytetin spanjoll. Shkak për këtë është bërë pothuajse “pushimi i plotë” me trajnerin Santiago Solari.

Ish-mesfushori i Malaga nuk konsideron asgjë, përpos rolit të titullarit. Përjashtimi i vazhdueshëm nga formacioni i Real Madridit në këtë sezon vetëm sa konfirmon një bindje të fortë të tij për t’u larguar nga të bardhët. Edhe ambienti në kryeqytetin spanjoll nuk duket të jetë në favor të Isco, në të vërtetë. Marrëdhënia me tifozët nuk është më idilike, teksa ka ndodhur edhe që është vërshëllyer. 

Siç është raportuar nga "Tuttosport", Juventusi ende e mban një sy nga Isco, i vetëdijshëm se situata e krijuar rreth lojtarit mund të luajë në favor. “Zonja e Vjetër” vigjëlon, edhe pse e di që për mesfushorin spanjoll interesohet Manchester City i Pep Guardiola. Por, në këtë mes mund të luajë rol përcaktues Real Madridi. Paulo Dybala konsiderohet si përforcim ideal për repartin e përparmë te “Los Blancos”, si nevojë e “gjakut” të ri dhe cilësisë, pas largimit të Cristiano Ronaldos. 

Juventus e di mirë ketë gjë, ndaj në duart e veta ka një xhevahir shumë të shtrenjtë, që kushton 150 milionë euro, ose diçka më shumë. Për “Joya” janë të interesuar edhe për Bayern Munich, PSG, Manchester City dhe, mbi të gjitha, Atletico Madrid. Takimi, i quajtur nga shumë njerëz si rastësor, mes Dybala dhe Diego Simeone, disa muaj më parë, përbën një shkëndijë, që mund të ndizet më tej.

Ish-lojtari i Palermos nuk është harruar edhe nga Giuseppe Marotta, drejtori i ri menaxhues për zonën sportive të Interit. Duket e vështirë, megjithatë, që kampionët italianë të bien dakord për një transferim të argjentinasit te rivalët e urryer ndërsa edhe aspekti ekonomik shfaqet një pengesë shumë e pakapërcyeshme për zikaltrit.

Por, Real Madridi mund të përdorë “kartën Isco”, për të siguruar shërbimet e argjentinasit bardhezi. Duke lejuar mesfushorin e kombëtares spanjolle të kalojë te “Zonja e Vjetër”, Florentino Perez shton shanset për të marrë Dybala. Një tjetër skenar, që mund të përfundojë me një tjetër operacion të madh e historik në “aksin” Torino-Madrid. Nëse një yll si Cristiano Ronaldo la Real Madridin për bardhezinjtë, çdo gjë tjetër mund të jetë e mundshme në raportin mes këtyre dy klubeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat