Feronikeli i gatshëm për stinorin pranveror

Futboll

Feronikeli i gatshëm për stinorin pranveror

Më: 12 janar 2019 Në ora: 17:16
Feronikeli

Ekipi i drejtuar nga Zekirja Ramadani, tash e disa ditë është duke ushtruar në qytetin e Drenasit. Edhe pse koha është joptimale për stërvitje, ata vazhdojnë të stërviten në fusha të mbyllura.

Feronikeli e përfundoi gjysmë-sezonin e parë në vendin e dytë më një pikë më pak se kryesuesi i tabelës, Prishtina, andaj ata do të synojnë që këtë vit të fitojnë kampionatin, si dhe Kupën e Kosovës, në mënyrë që të sigurojnë një vend për në garat evropiane.

Deri më tani skuadra e Feronikelit nuk është që ka bërë ndonjë transferim të madh, përpos rikthimit të Hamed Kone, 31 vjeçari i cili u rikthye te Feronikeli pas një sezoni të cilin e kaloi në Zvicër.

Trajneri i skuadrës Zekirja Ramadani, u shpreh i lumtur me kontigjentin e lojtarëve të cilët i ka në dispozicion dhe me kushtet të cilat kryesia e klubit vazhdimisht po mundohet t’i përimtojë, por gjithashtu edhe me pjesën tjetër të stafit.

Image

Ramadani: Jam tejet i kënaqur me lojtarët e mi

“Mund të themi se duhet të jemi të kënaqur pas asaj që kemi punuar dhe serioziteti i futbollistëve më bënë që të jem i kënaqur dhe të kem një motivë për punë, në çdo stërvitje kanë qenë shumë të motivuar”, pohoi ai

Sa i përket transferimeve të lojtarëve, deri më tani drejtuesit e Feronikelit kanë rikthyer në skuadër Hamed Kone, 31 vjeçari, i cili është rikthyer në Drenas pas një viti të kaluar në Zvicër.

Ramadani: Nuk kemi nevojë për përforcime

“I vetmi që është konfirmuar është Kone, dhe ai vjen ditën e hënë fillon me ekipin, dhe unë mendoj që kontingjentin që kemi ne, nuk kemi nevojë për shumë përforcime duke e parë edhe rezultatet ku jemi, d.m.th që i kaluam në stinorin vjeshtor kishim rezultate mjaftë të mira, kemi një konkurrencë të shëndosh dhe nuk kemi nevojë për të bërë shumë lëvizje se dihet që edhe në janar nuk mund të bëjmë edhe shumë lëvizje, pasi që dihet se shumica e lojtarëve kualitativ janë me kontrata dhe neve nuk na nevojitet numër ose një lojtar i cili është i barabartë me lojtarët që kemi”, vazhdoi Ramadani për kp.

Image

Kapiteni i Feronikeli, Lapidar Lladrovci është tejet i kënaqur deri më tani me përgatitjet e skuadrës, dhe tregon synimin e skuadrës.

Lladrovci: Të luftojmë për objektivat e ekipit

“Deri tash edhe unë jam i pajtimit që përgatitjet kanë shkuar mjaftë mirë, pra jemi në përfundim të fazës së parë, ku të enjten pastaj shkojmë në Antaly, në përgatitje për dy javë, ku vazhdojmë edhe pastaj me ndeshjet miqësore, edhe pas përfundimit na pret java e fundit dhe ndeshja me Ferizajn për Kupë. Sigurisht ne jemi brenda objektivave dhe jemi një pikë pas vendit të parë dhe synojmë fitimin e kampionatit dhe jemi edhe në garë për kupë ku synojmë edhe trofeun e kupës, pra për neve është me rëndësi që të arrijmë një vend i cili na dërgon në Evropë dhe do të synojmë të dy trofetë”, tha Lladrovci.

Ndërkohë që sulmuesi kryesor i ekipit nga Drenasi, Kastriot Rexha shprehet i kënaqur me punën e deritanishme nga të gjithë bashkëlojtarët, dhe mirëpret në skuadër transferimin e Kone-s, që së bashku të luftojnë për titullin e kampionit dhe kupën e Kosovës.

Image

Rexha: Do të arrijmë të shpallemi kampion

“Po kemi fillu fazën përgatitore, jemi duke punuar thuajse dy herë në ditë përveç sot, gjithçka është duke shkuar mirë, jemi të kënaqur me punën që kemi bërë deri në këto momente, shpresojmë të vazhdojmë në këtë mënyrë. Më 17 janar kemi me udhëtu, kryesia e klubit na ka plotësu të gjitha kushtet, që të jemi sa më mirë të përgatitur për kampionatin që na pret, një kampionat mjaftë i vështirë, gjithashtu edhe trofeu i kupës në të cilin jemi në garë, mendoj se do të kemi disa ndeshje miqësore atje, ndeshje të mira me kundërshtarë të fortë, shpresojmë të arrijmë atë që jemi duke punuar, ta konsolidojmë mirë ekipin dhe të luftojmë për objektivat e skuadrës që janë titulli dhe kupa”, u shpreh Rexha.

Image

Feronikeli pasi të rikthehet nga Turqia, ndeshjen e parë do ta zhvillojë me Ferizajn për Kupën e Kosovës, duke tentuar ta fitojnë atë dhe të kualifikohen në raundin tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat