Livoreka: Vitia ka ekip të fortë dhe e meriton Superligën

Futboll

Livoreka: Vitia ka ekip të fortë dhe e meriton Superligën

Nga: Kemajl Goca Më: 13 janar 2019 Në ora: 19:45
Livoreka

Pranvera pritet të jetë shumë më atraktive në Ligën e Parë të Kosovës në futboll, ku janë një numër mjaft i madh i skuadrave që luftojnë për dy vendet e para, si Vushtrria, Besa e Pejës, Dukagjini i Klinës, Vitia, Vëllaznimi i Gjakovës etj. Vitia ka aspirata e qarta: të futet në Superligën e Kosovës. Kolektiv që ka kushtet ndër më të mira dhe udhëhiqet nga kryetrajneri Milaim Zuzaku. Sulmuesi këmbëshpejtë, Mensur Livoreka, tha se me një punë të madhe, lojëra të mira, shpreson se do të arrijnë synimin, të janë në shoqërinë e më të mirëve.

Livoreka përkundër ofertave të mira nga disa skuadra, vendosi që t’i qëndrojë besnikë Vitisë. Ai iu është mirënjohës kryesisë së klubit, për kushtet të mira që iu ka krijuar dhe për korrektësinë. “Falënderoj kryesinë e klubit që është korrekte çdo herë, po ashtu dhe tifozerinë ‘Idealistët’ që na përkrahin në çdo ndeshje”, tha Livoreka. 

Vitia është në pozitën e katërt me 31 pikë, ka shtatë me pak se kampioni vjeshtor Vushtrria, tri se Besa në vend të dytë.  Sulmuesi shprehet se ka shumë ndeshje deri në fund të kampionatit dhe do të orvaten që të fitojnë sa më shumë pikë, që të janë në dy vendet e para. Vitia për 16 ndeshje ka shënuar 9 fitore, 4 barazime e pësuar 3 humbje,  ka goldallimin 21:18.

“Bota sot”:  Cila është atmosfera dhe a keni vështirësi pas reshjeve të borës?

Mensur Livoreka: Po, kemi filluar që 4 ditë stërvitjet, atmosfera është shumë e mirë përbrenda skuadrës, sepse pothuajse e gjithë skuadra e sezonit të kaluar është e njëjtë. Normal për momentin po ushtrojmë në terrene të mbyllura për shkak të temperaturave të ulëta.

“Bota sot”: Vitia është në luftë për dy vendet e para, a shpresoni se do ta arrin qëllimin?

Mensur Livoreka: Normal se do të jetë vështirë, duke pasur parasysh konkurrencën mes skuadrave. Aty kemi Vushtrrinë, Besën, Dukagjinin dhe Vëllaznimin, do të jetë shumë e vështirë, por ne si lojtar do të japim maksimumin nga vetja, që t’ia arrijmë qëllimit dhe ta shpërblejmë këtë kryesi e cila po na rrinë mbrapa në të gjitha aspektet.

“Bota sot”: Vitia është në vend të katërt me 31 pikë, ka 4 me pak se Besa dhe 7 se Vushtrria, a mendoni se nuk është distancë e madhe me pikë?

Mensur Livoreka: Normal se diferenca nuk është e madhe sepse ne do të ndeshemi njëra me tjetrën prapë në pranverë.

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh në luftë për dy vendet e para?

Mensur Livoreka: Vërtet do të jetë një pranverë e nxehtë në ligën e parë, sepse shumë skuadra janë në garë për pozitat që të dërgojnë direkt në Superligë dhe përmes barazhit. Kemi aty Vushtrrinë, Besën, Dukagjinin, Vëllaznimin, mos ta harrojmë edhe Onix-in, vërtet do të jetë shumë nxehtë në pranverë dhe për këtë arsye është shumë vështirë deri në fund për krejt këto skuadra, se cila do të jetë pjesë e Superligës.

“Bota sot”: Si sulmues, a premtoni sa më shumë gola?

Mensur Livoreka: Normal se do të jap maksimumin nga vetja për FC Vitinë në pranverë, me rëndësi janë sukseset e skuadrës dhe t’ia arrijmë qëllimit që kemi përpara vetes, si dhe shpresojmë t’ia arrijmë qëllimit, të jemi pjesë e Superligës.

“Bota sot”: A jeni në presion të rivalëve tjerë?

Mensur Livoreka: Jo, nuk kemi kurrfarë presioni, na jemi të vetëdijshëm, e gjithë skuadra, që kemi shumë ndeshje të rëndësishme në këtë sezon, por do të hyjmë shumë të relaksuar dhe t’iu qasemi ndeshje pas ndeshje në mënyrë shumë serioze, sepse në skuadër po punohet maksimalisht si nga ana e shtabit teknik në krye me trajnerin shumë të fortë Milaim Zuzakun, që po na përgatitë në gjitha të aspektet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat