Fazliu: Luftojmë në dy fronte

Futboll

Fazliu: Luftojmë në dy fronte

Nga: Kemajl Goca Më: 15 janar 2019 Në ora: 10:16
Astrit Fazliu

Feronikeli nga Drenasi lufton në dy fronte: për titull dhe Kupën e Kosovës! Si çdo skuadër tjetër në elitën e futbollit, edhe Feronikeli po ballafaqohet me vështirësi pas reshjeve të borës, si dhe acarit që po mbretëron në ditët e janarit, megjithatë as kjo nuk i ndal dhe punojnë me intensitet të shtuar, që të janë sa më gati jo vetëm për kampionat por edhe për garat e Kupës së Kosovës.

Nënkampioni vjeshtor përgatitet në Drenas dhe besojnë e shpresojnë se do të janë në formën më të mirë të mundshme deri me 9 shkurt, kur edhe e luajnë ndeshjen e çerekfinales së Kupës së Kosovës. Sulmuesi i Feronikelit,  Astrit Fazliu, shprehet se atmosfera është shumë e mirë dhe punojnë me ritëm të shtuar. “Atmosfera është shumë e mirë, gjithçka po shkon sipas planit”, thotë Fazliu për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Skuadra nga Drenasi ka 39 pikë, ka një me pak se kampioni vjeshtor Prishtina dhe katër më shumë se Llapi që mban pozitën e tretë. Fazliu tha se do të luftojnë në dy fronte: “Mendoj se jemi në garë për dy trofetë dhe do të bëjmë maksimumin që të arrijmë te dyja trofetë këtë vit. Krahas Feronikelit edhe Prishtinës, edhe Llapi është në garë dhe nuk janë larg me pikë”. Si çdo njohës i futbollit edhe Fazliu mendon se stinori pranveror do të jetë shumë i nxehtë në aspektin sportiv, jo vetëm për skuadrat që luftojnë për titull por edhe për ato për mbijetesë. “Pranvera do të jetë shumë e nxehtë, sepse edhe ndeshjet vijnë kah fundi dhe bëhen edhe më interesant”, tha Fazliu.

Sulmuesi është i kënaqur me kushtet por sipas tij, e gjitha çka i mbetet, është që të jap maksimumin për klubin e ‘Niklit’. “Me kushtet jemi shumë të kënaqur dhe normal në këtë stinor, në këtë dimër që është pak ftoftë, po ashtu edhe bora ka krijuar vështirësi, por ne vazhdojmë me punë dhe as kjo nuk na ndal”, theksoi ai.  Ferizaj po kalon periudhë të vështirë, për shkak të mos organizimit si duhet dhe në letër duket se nuk do të jetë rival i vështirë për Kupë për Feronikelin, por ndryshe mendon Fazliu: “Kundër Ferizajt është ndeshje e vështirë, por shumë shpresoj që do ta kalojmë dhe të arrijmë finalen. Kemi ekip shumë të mirë, është një atmosferë e shkëlqyeshme dhe besoj se ne lojtarët do të tregojmë cilësinë në fushë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat