“Te Inter u thinja për 85 ditë e shpenzova energji sa për 5 vjet”

Futboll

“Te Inter u thinja për 85 ditë e shpenzova energji sa për 5 vjet”

Më: 16 janar 2019 Në ora: 06:48
Frank de Boer

Inter ka ndërruar shumë trajnerë vitet e fundit, duke treguar hapur që nuk ka qëndrueshmëri në klub, të paktën deri në momentin që klubi kaloi në pronësi të familjes Zhang.

Viktimë e asaj periudhe ishte edhe Frank de Boer, i cili ishte në krye të Inter vetëm për 85 ditë, pasi u shkarkua për rezultate negative. Tashmë, holandezi ka marrë drejtimin e Atlanta United në Amerikë dhe nuk ka nguruar të tregojë eksperiencat e tij negative me Inter dhe Crystal Palace (u shkarkua pas 10 javësh).

"Filozofia e klubit, struktura e klubit dhe vlerat kryesore për mua janë çështje shumë të rëndësishme. Çdo gjë përshtatet për mua personalisht këtu te Atlanta”, tha trajneri gjatë prezantimit te skuadra e re, teksa vlerësoi organizimin e brendshëm të klubit dhe mënyrën si funksionojnë gjërat.

Një gjë e tillë nuk ishte tek dy skuadrat e tij të mëparshme sipas tij: “Nuk kishte kohezion mes departamenteve dhe gjithçka ishte e ndarë. Këtu (te Atlanta) është çdo gjë e ndarë dhe e strukturuar, kështu që unë mund të fokusohem te skuadra”, tha fillimisht holandezi.

De Boer pranoi se mungesa e strukturës në të dyja klubet bëri që ai të vuajë personalisht.

“Punova për pesë vjet e gjysmë te Ajax si trajner i skuadrës së parë dhe katër e gjysmë si trajner i akademisë. Kjo periudhë me kushtoi më pak energji se tetë muaj te Inter dhe Crystal Palace. Aty fillova të thinjem edhe nga flokët, kështu që unë dua ndjesi pozitive dhe të vazhdoj kështu”, përfundoi de Boer.

Kujtojmë që Atlanta është kampione në fuqi e MLS-së edhe pse ka dy vite që është krijuar si klub. Skuadra ishte nën drejtimin e Tata Martinos, por ai u largua për të marrë pankinën e Meksikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat