Sahiti: Punojmë që Vëllaznimin e madh ta kthejmë në elitë

Futboll

Sahiti: Punojmë që Vëllaznimin e madh ta kthejmë në elitë

Nga: Kemajl Goca Më: 17 janar 2019 Në ora: 10:25
Sahiti: Punojmë që Vëllaznimin e madh ta kthejmë në elitë

Vëllaznimi nga Gjakova një pjesë të përgatitjeve e ka zhvilluar në Durrës, me qëllim që të janë sa më të gatshëm për stinorin pranveror në Ligën e Parë po ashtu edhe për çerekfinalen e Kupës së Kosovës, ku do të takohen me Dritën nga Gjilani. Futbollisti Samir Sahiti ka deklaruar për gazetën kombëtare “Bota sot”, se është kënaqësi të jesh pjesë e një skuadre me renome siç është Vëllaznimi dhe që ka kryetrajner Ismet Munishin. Gjakovarët janë mobilizuar në të gjitha aspektet, me synim që të rikthehen në shoqërinë e më të mirëve.

Kryetari i klubit Agim Cana me bashkëpunëtorët e tij, mundohen me të gjitha mundësitë që posedojnë që t’ju krijojnë kushte sa më të mira futbollistëve. Është interesant se, Sahiti vetëm Vushtrrinë dhe Dukagjinin e Klinës i sheh si rivalë në luftë për kreun e tabelës. Gjakovarët renditen në vend të pestë me 29 pikë, nëntë me pak se lideri Vushtrria, gjashtë se Besa në pozitën e dytë.

“Bota sot”: Ditët e para në përgatitje me Vëllaznimin, cila është atmosfera, a keni pasur probleme me reshjet e borës dhe të ftohtin që po mbretëron këto ditë?

Samir Sahiti: Mbretëron atmosferë fantastike, ka rregull dhe rend nga kryetari i klubit deri tek ekonomi, ka super profesionalizëm nga mister Munishi. Reshjet e borës nuk kanë qenë problem ngase ishim në Durrës për fazë përgatitore, tani jemi kthye në Gjakovë dhe pas një jave prapë do të shkojmë për fazën e fundit përgatitore në Durrës para ndeshjes së Kupës.

“Bota sot”: Është një numër i madh i skuadrave që luftojnë për dy vendet e para, si e sheh Vëllaznimin në pranverë?

Samir Sahiti: Nuk e besoj se jemi numër i madh, jemi ne, Vushtrria dhe Dukagjini që luftojmë për vend të dytë, por sigurisht se ne po punojmë shumë, tri herë më shumë se skuadrat tjera që të arrijmë Vëllaznimin e madh ta kthejmë ku e ka vendin dhe kemi shumë besim se kështu do të ndodh, pastaj jemi edhe në garë për Kupën e Kosovës dhe kjo ka rëndësi të madhe.

“Bota sot”: Vellaznimi është në vend të pestë me 29 pikë, a keni presionin se ngecni për 6 pikë nga pozita e dytë?

Samir Sahiti: Nuk kemi presion, kemi kualitet në ekip që mos ta mendojmë presionin. Ju thash se do të luftojmë shumë që ta sigurojmë inkuadrimin direkt në Superligë, pastaj jemi në përparësi nga gjithë liga edhe nga ana e trajnerit dhe kjo ka rëndësi të madhe, pasi që e njihni mirë kush është mister Munishi. Pastaj edhe puna e kryetarit Cana i cili na mundëson kushtet ndoshta më të mirat në Kosovë duke përfshi këtu edhe Superligën.

“Bota sot”: Vushtrria e Dukagjini të përforcuar, cili mendoni se është rivali më i madh, por a do të jetë e frikshme edhe Besa?

Samir Sahiti: Vushtrria është në përparësi dhe realisht mendoj se është shumë afër Superligës. Dukagjini është përforcuar shumë me këto transferet e fundit por ne shohim veten dhe mendoj se jemi skuadra më e kompletuar në këtë ligë. Për Besën nuk kam koment, e shihni në fund të sezonit.

“Bota sot”: Sa është e vështirë të punosh me trajnerin Ismet Munishi?

Samir Sahiti: Të them të drejtën me mister Munishin është e vështirë me punuar, ngase kërkon shumë punë dhe përkushtim në stërvitje, por ta mendosh se e ka për të mirën tonë dhe të klubit dhe gjithçka në fund del pozitive dhe ashtu si ai e ka paramenduar, nga ana tjetër është edhe si prind dhe shok me ne, nuk është vetëm trajner por edhe psikolog edhe pedagog ngase mundohet që të na përmirësoj në çdo aspekt jo vetëm në futboll.

“Bota sot”: Për Kupë me Dritën, a shpresoni se do të përgatiteni mirë dhe a mund ta eliminoni kampionin në fuqi?

Samir Sahiti: Synimi ynë është të kthehemi në Superligë, kurse Kupa do të ishte një ëndërr e bukur, këtë ndeshje Drita është favorite kuptohet, po në Gjakovë do ta kenë të vështirë shumë dhe sigurisht do të luftojmë shumë edhe në Kupë dhe besoj te kemi sukses.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat