Po ta kisha në dorë...

Futboll

Po ta kisha në dorë...

Më: 19 janar 2019 Në ora: 10:25
Wayne Rooney

Wayne Rooney thotë se zgjedhja e tij e parë për trajnerin e Manchester United do të ishte Mauricio Pochettino, megjithëse beson se Ole Gunnar Solskjaer meriton një shans për ta provuar veten. Solskjaer u emërua përkohësisht, pas shkarkimit të Jose Mourinho në dhjetor, por ka bërë një kthesë të madhe në fatet e “Djajve të Kuq”.

Klubi nga “Old Trafford” ka fituar gjashtë ndeshje radhazi, me triumfin e fundit 1-0 ndaj Pochettino dhe Tottenham, në “Wembley”, duke u katapultuar në garën për “top-katër” në klasifikim. Edhe pse performanca e Solskjaer-it deri më tani i ka rritur shanset e tij për t’u emëruar trajner i përhershëm, Pochettino ende shihet nga shumë njerëz si objektivi kryesor i klubit.

Rooney, një ish-bashkëlojtar i Solskjaer te Manchester United, është i mendimit se Pochettino do të ishte njeriu më i mirë për këtë punë. "Para së gjithash, duhet t’i jepet Ole një mundësi dhe ky është një diskutim që duhet të bëhet me Glazers, - tha Rooney për ESPN. – Sidoqoftë, nëse do të kisha mundësinë të emëroja dikë, unë do të zgjidhja Pochettino. 

Manchester United, gjatë 20, 30 viteve të fundit, që nga koha e Alex Ferguson, është bazuar te lojtarët e rinj në blerje. Mendoj se Pochettino merr më të mirën nga lojtarët e tij, pavarësisht nëse janë të rinj apo më të vjetër. Ju mund t’i shikoni disa nga lojtarët e rinj, që ka sjellë te Tottenham. Ai është i gatishëm për t’iu dhënë të rinjve një shans".

Rooney, i cili u bashkua me D.C. United nga Evertoni, verën e kaluar, këmbëngul se ishte e vështirë për t’i parë “Djajtë e Kuq” nën drejtimin e Mourinhos. Megjithatë, tani është i kënaqur që Solskjaer po iu jep yjeve të ekipit lirinë për të luajtur: 

"Unë mendoj se nuk ishte mirë ta shikojë ashtu Manchester United, me lojtarë të palumtur. Ata nuk po kënaqeshin. Gjithçka që Mourinho duhet të bënte ishte t'iu thoshte lojtarëve të tij: shkoni dhe luani, shkoni dhe shprehni veten tuaj në fushë, gëzoni. Edhe nëse merr Cristiano Ronaldon e Lionel Messin dhe u thoni atyre që duhet të luani këtu, duhet të bëni këtë, ju jeni vetëm për këtë, ata nuk do të jenë lojtarët e njëjtë.

Kur bëhesh pjesë e Manchester United, kjo nënkupton se je mjaft i mirë për të ditur se si të luash dhe çfarë duhet të bësh në fushë. Duhet të udhëzoheni për detaje të vogla nga trajneri, sigurisht, por gjëja më e madhe që duhet të bëni është të luani dhe kënaqeni".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat