Krerët e FFK-së vizituan kryetarin e FFSHGJ-së, bashkërendohen punët për afrim të talenteve 

Futboll

Krerët e FFK-së vizituan kryetarin e FFSHGJ-së, bashkërendohen punët për afrim të talenteve 

Më: 19 janar 2019 Në ora: 11:11
Krerët e FFK-së vizituan kryetarin e FFSHGJ-së, bashkërendohen punët për afrim të talenteve 

Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, të cilët po qëndrojnë për vizitë në Gjermani, kanë vizituar sonte në mbrëmje kryetarin e Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani, Ruzhdi Statovci. Me këtë rast ata biseduan për tema të ndryshme, me theks të veçantë rreth organizimit sa më të mirë dhe mbështetjes së FFK-së për aktivitetet e FFSHGJ-së, organizimin  Kupës së Diasporës, si dhe veçmas për organizimin e kampeve me talentet tanë që jetojnë dhe veprojnë në Gjermani.

Presidenti Ademi kërkoj që të evidentohen dhe të ftohen të gjithë talentet tanë që të mbrojnë ngjyrat e ekipeve tona kombëtare, por njëherësh edhe të bëhet mobilizim shtesë për të rekrutuar vajzat tona që janë pjesë e klubeve gjermane në ekipe tona kombëtare.

Nga ana e tij, kryetari i FFSHGJ-së, Ruzhdi Statovci përgëzoi krerët e FFK-së për punën e jashtëzakonshme dhe sukseset e arritura si me Kombëtaren A, ashtu edhe me ekipet e grupmoshave dhe shprehu gatishmërinë e tij që bashkë me bordin dhe organet e tjera të asociacionit që drejton, por edhe me ndihmën e të gjitha klubeve shqiptare që gravitojnë në Gjermani, si dhe në bashkëpunim me prindërit e futbollistëve të rinj dhe të gjithë shqiptarët që jetojnë atje, të ndihmojnë me të gjitha kapacitetet në mënyrë që Kosova të ketë prezantim dhe rezultate sa më të mira në të gjitha garat ku përfaqësohet me ekipet kombëtare.

Presidenti Ademi theksoi se Kombëtarja e Kosovës është vendi ku të gjithë futbollistët me origjinë nga Kosova do të prezantohen në mënyrën më të mirë dhe do të ndihen gjithmonë krenar që e përfaqësojnë vendlindjen e prindërve të tyre dhe shtetin nga e kanë prejardhjen, duke ripërsëritur se Federata e Futbollit e Kosovës gjithmonë do t’i presë të gjithë talentet me kënaqësinë dhe dashurinë më të madhe për ta veshur fanellën e Kombëtares së Kosovës.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu theksoi se gjithmonë ndjehet i emocionuar dhe i lumtur që tashmë iu ka mundësuar të gjithë këtyre talenteve dhe patriotëve që ta përfaqësojnë Kosovën dhe ta çojnë në nivel sa më lartë futbollin tonë dhe rejtingun sportiv të Kosovës. Prandaj – theksoi Salihu – ardhja e futbollistëve dhe futbollisteve të talentuar për ta përfaqësuar Kosovën është e veçantë dhe më e drejta për futbollistët dhe prindërit e tyre, përkundër shumë ofertave të vendit ku jetojnë, por edhe vendimi më i dashur për FFK-në dhe për të gjithë tifozët në Kosovë e Diasporë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat