Barcelona injoroi Kupën

Futboll

Barcelona injoroi Kupën

Më: 26 janar 2019 Në ora: 19:35
Barcelona injoroi Kupën

Kupa e Mbretit është një objektiv dytësor për Barcelonën, por kaq ka mjaftuar që Reali i Madridit ta sulmojë në mënyrë të hapur rivalin e përjetshëm. Në fakt, madrilenët e injoruan vetë këtë kompeticion, teksa triumfonin në Europë, por në deklarata u treguan të kujdesshëm.

Ata thoshin se donin ta fitonin, ndërsa në realitet tregonin të kundërtën duke u eliminuar në mënyrë të vazhdueshme. Por, te Barcelona po tregohen më të sinqertë sesa duhet dhe deklarata e Pikesë ishte një gabim fatal pas humbjes me Sevijën në çerekfinalen e parë të Kupës. Mbrojtësi katalanas tha se do të provojnë vitin e ardhshëm nëse nuk ia dalin ta përmbysin rezultatin këtë herë.

VASKEZ- Ai që ka interpretuar fjalët e mbrojtësit katalanas është mesfushori i Realit të Madridit, Lukas Vaskez. Me Solarin është shndërruar në një lider të ekipit “galaktik” dhe e ka siguruar vendin e titullarit me paraqitjet pozitive. Ditën e djeshme ishte pjesëmarrës në një event dhe u pyet për deklaratat e bëra nga Pike. Ai tha se Pike ndryshon shpeshherë mendimin në bazë të interesave të Barcelonës dhe nuk mendon njësoj.

“Këtë vit thotë kështu, vitin e kaluar ishte krejt e kundërta, ndërsa vitin e ardhshëm do të nxjerrë ndonjë tjetër teori. E rëndësishme është që Reali i Madridit lufton për të gjithë trofetë që është në garë”, tha mesfushori i Realit. Më tej, ai foli edhe për ecurinë pozitive të kohëve të fundit.

“Tani jemi shumë mirë. Në fillim patëm disa probleme dhe nuk na lanë të qetë për të bërë futbollin tonë. Kemi bërë ndeshje shumë të mira dhe duam të vazhdojmë në këtë rrugë. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë gjëra të mëdha. Solari? Është shumë i rëndësishëm për ne. Ai vendos gjithçka sepse ka marrë timonin e skuadrës.

Po nxjerr më të mirën nga lojtarët dhe kjo gjë duhet vlerësuar. Nëse kjo formë do të vazhdojë deri në fund të sezonit, jam i sigurt se do të fitojmë trofe. Kjo është ajo që duam të gjithë”, ka thënë Lukas Vaskez. Në deklaratën e tij, mesfushori madrilen u gëzohet lojtarëve që janë rikthyer nga dëmtimet dhe thotë se janë “afrimet” më të mira të merkatos së janarit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat