Shqiptari kalon provat te Grasshoppersi

Futboll

Shqiptari kalon provat te Grasshoppersi

Nga: Reshat Ibrahimi Më: 27 janar 2019 Në ora: 12:17
Ben Fetai

Një futbollist i ri po rritet në Zvicër. Bëhet fjalë për talentin e vogël, Ben Fetai, i cili me sukses të madh i kaloi provat tre mujore te skuadra e njohur zvicerane Grasshoppersi.

Ai është me prindër nga Çerkezi i Kumanovës. Babai i Benit, Nuredin Fetai, dikur ka qenë futbollist i Kumanovës, Bashkimit dhe Slloga JM (FC Shkupi i sotëm). E pra, nuk thonë kot se: “dardha bie nën dardhë”.

Me aftësitë e tij që ka dëshmuar në stërvitje, Beni ka lënë gojhapur trajnerët e kësaj skuadre, duke u bërë pjesë e U12. 
Fetai i vogël më herët ka luajtur për Team Glanerland në St. Gallen. Ai ka lindur me 9 maj 2007 dhe luan në rolin e mesfushorit.

Image

Beni me prindin e tij

“Beni ka një muaj që është bërë pjesë e U12 të Grasshoper. 140 fëmijë kanë qenë në testime dhe vetëm pesë fëmijë kanë kaluar provat. Unë jam krenar me djalin tim”, deklaron babai i Benit, Nuredin Fetai, duke vazhduar: “Tani Beni katër herë në javë shkon në stërvitje, ndërsa për të shkuar në trening i duhet të udhëtoj nga 40 minuta. megjithatë, kjo nuk paraqet asnjë problem për ne. Unë kam besim te Beni se mund të arrijë në futboll”, shtoi Fetai.

Babai i Benit, Fetai, zbulon dicka interesante. “Beni e admiron shumë Lionel Messin dhe Barcelonën, kurse unë jam tifoz me Realin e Madridit. Kur shikojmë futboll në televizor jemi rival (qeshet)”, theksoi Nuredin Fetai, i cili është i angazhuar mjaft rreth djalit të tij Benit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat