Mbrojtësi i Kastriotit drejt Kroacisë

Futboll

Mbrojtësi i Kastriotit drejt Kroacisë

Më: 31 janar 2019 Në ora: 11:51
Mbrojtësi i Kastriotit drejt Kroacisë

Merkato është nxehur në këto ditë të fundit të saj. Mbrojtësi i Kastriotit, Dajan Shehi është drejt transferimit në Kroaci. Gazeta ka mësuar se për 21-vjeçarin interesohet skuadra e Slaven Belupo në kampionatin kroat. Futbollisti është nën kontratë me Teutën dhe gjatë pjesës së parë të kampionatit ishte i huazuar te Kastrioti.

NEGOCIATAT – Slaven Belupo ka dorëzuar zyrtarisht ofertë për qendërmbrojtësin. Kërkesa është për huazim dhe me të drejtë blerjeje për 180 mijë euro. Me negociatat po merret menaxheri Elton Marini, ndërsa mësohet se merkatoja në kampionatin kroat mbyllet më 15 shkurt, çka do të thotë se palët kanë kohë për të mbërritur në një akord përfundimtar. Shehi ka luajtur në 11 ndeshje me skuadrën krutane në pjesën e parë të kampionatit duke bërë paraqitje shumë të mira. Shehi konsiderohet si një mbrojtës me të ardhme në Shqipëri dhe në rast të transferimit në Kroaci, do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për sa i përket karrierës së tij. Edhe pse në një moshë të re, ai ka luajtur me Elbasanin, Teutën, Besën dhe Kastriotin duke përfituar eksperiencë.

Pritet të shihet në ditët në vazhdim se si do të mbyllen negociatat në lidhje me këtë lojtar dhe ofertën që ka marrë nga Kroacia. Shehi ka qenë pjesë e ekipit të dytë të Hajduk Split në sezonin 2017-2018, por që u aktivizua vetëm në një ndeshje. Do të duhet që Teuta të japë lejen e transferimit të futbollistit. Shehi do të shihet gjatë kohës së huazimit dhe më pas nëse pëlqehet, klubi kroat mund ta blejë për 180 mijë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat