Christian Panuccit i lakohet sërish emri, i kërkohet të bëjë "Solskjaer" te Roma

Futboll

Christian Panuccit i lakohet sërish emri, i kërkohet të bëjë "Solskjaer" te Roma

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 10:42
Christian Panucci

Humbja e rëndë 7-1 në Firence, në Kupën e Italisë, duket se e ka përcaktuar fatin e Eusebio Di Francesco në stolin verdhekuq. Sipas medias italiane, ai do të shkarkohet pothuajse me siguri, edhe në rast të fitores kundër Milanit, në ndeshjen e radhës.

Për të konfirmuar besimin ndaj trajnerit, siç ka ndodhur disa muaj më parë, nuk kanë folur kësaj here Monchi dhe Totti, ndërsa presidenti Pallotta mirëpret ndryshimin e menjëhershëm të drejtuesit teknik, edhe nëse alternativat nuk janë shumë.

Në “pole position”, sipas një raporti të "La Gazzetta dello Sport”, mbetet Paulo Sousa, por nëse akordi me të nuk arrihet, atëherë stoli i Romës mund t'i besohet Christian Panuccit.

Trajneri aktual i kombëtares së Shqipërisë është i kënaqur me postin që ka, por mund të zgjidhet si kujdestar i kryeqytetasve (në versionin Solskjaer te Manchester United) deri në fund të sezonit, kur Roma të emërojë një emër më të madh. 

Ëndrra, sipas “La Gazzetta dello Sport” dhe “Il Messaggero” do të ishte Maurizio Sarri, aventura e të cilit te Chelsea, deri më tani nuk ka dhënë kënaqësi të madhe, përveç finales së Kupës së Ligës, që e fitoi me penallti kundër Tottenham.

Deri më sot, megjithatë, hipoteza më e mundshme është që Roma ta mbyllë sezonin me Di Francesco në stol dhe pastaj të vlerësojë me qetësi dhe të planifikojë të ardhmen. Kjo, për shkak se, në rast të kualifikimit për Champions-in e ardhshëm, sezoni nuk do të konsiderohej i falimentuar.

Ndërkohë, tifozët, përpara sfidës Roma-Milan, e kanë dëshmuar qasjen e tyre. Kontestimi ndaj trajnerit dhe lojtarëve tashmë ka filluar në “Trigoria”. Manolas dhe Kolarov, mbi të gjitha, por edhe Di Francesco, janë më të shigjetuarit. Nga trajneri, tifozët vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen. Sidoqoftë, deri tani pa sukses.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat