Mirë me Serbinë, mirë me Milloshin, mirë me Zoricën, mirë me lirinë, mirë me komandantat!

Futboll

Mirë me Serbinë, mirë me Milloshin, mirë me Zoricën, mirë me lirinë, mirë me komandantat!

Nga: Kemajl Goca Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 11:42
Pamje nga një ndeshje gjatë kohës së okupimit

Kur ka qenë koha dikush nuk u pa kurrë në çështjen kombëtare. Nuk u pa kurrë në kontributin e tij për sportin e pavarur të Kosovës. E zuri gjumi të paktën për 8 vite (1991-1999) dhe nuk e lodhi kokën e as prapanicën të shkojë në fushat e improvizuara të futbollit apo në fusha të betonuara që luanin basketbolli, hendbolli e volejbolli, ose edhe në livadhe, të paktën edhe si shikues t’i shoh!

Të premten përmes një postimit thuajse donte të hapte shumëçka Bardhec Seferi, ish futbollist i mirënjohur i Trepçës, që dha shumë për Kosovën në kohën e okupimit dhe sfidoi pushtuesin serb. Kishte të drejtë që ishte shumë i revoltuar dhe kishte shkruar: “Kohëra të vështira, guximi, sakrifica e djemve dhe vajzave ishte masive, por kishte edhe asi që nuk guxojshin me ardhë me na përkrah as te na shohin e sot na udhëheqin e marrin paga te majme në futbollin e sotëm.

Tmerr”! Bardhec Seferi mes rreshtave tha shumë, goditi plot individ, ani pse nuk i tha me emra! Sigurisht atij në një moment, iu kujtuan fushat me lloç e pa bari, portat me shtyllat e drurit dhe jo normale, ka pasur edhe në lis që janë vënë shtyllat dhe u bë portë futbolli, disa e shijuan lezetin ose si thotë populli: sefanë, pa u ngacmuar kurrë me pushtuesin serb, më shumë u kënaqën duke pirë ndonjë raki rrushi me ta. “Mirë me agresorin serb, mirë me Milloshin, mirë me Zoricën, mirë me lirinë, mirë me komandantat, mirë me krejt! Krejt patriota në Kosovë!”, kështu tha një nga ish sportistët e njohur në Kosovës, që nuk do t’i përmendim emrin. “Ndërrojnë kapelat sipas regjimit. Dikujt çdo kapelë i bie tamam”, kështu thonë shumë herë disa nga ish sportistët që janë të revoltuar që dikush nuk dha asgjë për Kosovë.

“Na u mbytshen tuj vrapue npër ara, e disa nuk e pritshin rehatinë me serb, sot më të mëdhenj se ne, ma patriota”, ka prej tyre që e thonë shpesh gjatë ndejave në kafiteri të Kosovës. Në kohën e okupimit, sportistët e zyrtarët e asaj kohe, hasën në represionin e paparë nga regjimi kriminal serb! Kur u ndalnin në punkte, kontrolloheshin, u maltretonin, u rrihni që besa edhe u arrestuan nga regjimi kriminal serb.  Seferi tash ndjehet i revoltuar, pse gjenerata që dha shumë, sot shumica anashkalohen dhe ata që kurrë nuk kontribuuan, sot po ledhatohen! Një rast interesant e tregojnë vetë sportistët, në vitet e 90-ta, trajneri i Çelikut nga Ferizaj, Ahmet Sylejmani, me kombibus ishte nisur për një ndeshje. “Na ndaluan milicia dhe Ahmeti iu tha: Po shkojmë në dasëm! Kur e kontrolluan kombibusin, gjetën fanella sportive! U çartën milicia serbe, gati sa na vranë, duke sharë dhe na thënë, në dasmë me fanella, pse po rreni!”, tregon momentet e trishtueshme një ish futbollist i Çelikut.

Sot gjërat kanë ndryshuar, u harrua historia dhe nuk çmohen edhe ata që dhanë gjithçka për të mbijetuar sporti. Afrim Muçiqi këngëtar i njohur dhe nënkryetar i FC Prishtina, ka deklaruar ditë më parë, se në një rast milicia serbe i kishte zhveshur cullak, duke i maltretuar gjatë një ndeshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat