Italia "rizbulon" forcën kuqezi. Nga Strakosha te Dermaku, tani Panucci buzëqesh

Futboll

Italia "rizbulon" forcën kuqezi. Nga Strakosha te Dermaku, tani Panucci buzëqesh

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 12:25
Christian Panucci

Christian Panucci duhet të jetë shumë i kënaqur. Më në fund, një pjesë e futbollistëve të kombëtares janë duke kaluar një moment fantastik. Sidomos në Itali, aty ku tashmë vjen edhe ndihma më e madhe për të mbajtur në tonus prapavijën, thembra e Akilit për kombëtaren e Shqipërisë dhe që vitin e shkuar ka dënuar disa herë skuadrën tonë përfaqësuese, me gafa nga më të çuditshmet.

Kështu, në një plan të përgjithshën, përjashto situatën delikate të Elseid Hysajt, që te Napoli ka kaluar në plan të dytë dhe tashmë është kthyer në rezervë, Frederic Veseli, Berat Gjimshiti, Etrit Berisha, Thomas Strakosha, por edhe Kastriot Dermaku janë duke shkëlqyer me ekipet e tyre. Nëse listës i shtojmë edhe Xhakomo Vrionin dhe Emanuele Ndoj, panorama bëhet edhe më e bukur. Madje, duke parë formën e këtyre të fundit, që i shtohet ajo e Mavrajt te Ingolstadi, apo edhe Tahirajt e Uzunit në Kroaci, atëherë mund të themi se do të kishte qenë më mirë që eliminatoret të nisnin tani.

Berisha dhe Gjimshiti janë në majë. Atalanta dhuron spektakël, zbavit dhe shënon pafundësisht gola. Portieri është rikthyer titullar i padiskutuar dhe stoli është vetëm një kujtim. Sportielo tashmë mund të jetë ai që do të shitet ose kërkojë largimin, ndryshe nga sa kishte ndodhur disa muaj më parë. Berat Gjimshiti është një tjetër surprizë. Falë punës së Giannpiero Gasperinit, është rikuperuar plotësisht. Një gjigant në mbrojtje që anuloi një farë Cristiano Ronaldo dhe që prej disa ndeshjesh është bërë i pakalueshëm. Sigurisht, ka luhatjet e tij, por në tërësi nota mesatare që e ka karakterizuar është ajo "6,5". Ishte një hap nga largimi, tani do të rinovojë së shpejti, pasi bergamaskët nuk duan ta humbasin për pak para. Gjimshiti fiton 280 mijë euro në sezon bashkë me bonuse, ndaj edhe pritet që këtë shifër ta 2 fishojë në të ardhmen.

Lazio dhe Strakosha janë surpriza më e bukur. Pas një periudhe krize, ka ardhur kualifikimi në Kupën e Italisë, në gjysmëfinale ndaj Milanit. Një llogari e hapur, por me super Thomasin asgjë nuk është e pamundur. Dy pritje spektakolare në serinë e 11-të metërshave dhe ndoshta përpara tv i ati, Foto Strakosha, që ka kryqëzuar gishtat. Shën Thomasi, më saktë, pasi i ka dhënë kualifikimin Lazios duke eliminuar Interin dhe fituar derbin me ish-romanistin Nainggolan.

Edhe Veseli është paraqitur mirë, por vuan nga loja e dobët e Empolit. Javën e fundit pati klient të vështirë, Genoan, ndaj edhe u çorodit pak. Dermaku, sakaq, në Serie B me Cosenzan, ka luajtur 19 titullar, nga 20 në total. Skuadra ndodhet në vend të 14-të dhe kanë pësuar 25 gola në 20 ndeshje, por cilësia e shkëmbit kuqezi është e padiskutueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat