Ndeshja mes Lecce dhe Ascoli në Serie B është pezulluar fillimisht vetëm pas 5 sekondash që arbitri nisi ndeshjen dhe më pas u shty përfundimisht për një datë të pacaktuar.
Shkak është bërë dëmtimi i rëndë i mesfushorit Manuel Scavone, i cili u përplas me sulmuesin Giacomo Beretta në një duel në ajër. Një e shtyrë e fortë dhe një rënie e fortë për toke, aq sa për pak rezultoi fatale për lojtarin e Lecce, i cili është huazuar nga Parma.
Në ndihmë të tij kanë shkuar menjëherë mjekët e skuadrës dhe më pas është transportuar me ambulancë për në spital. 31-vjeçari është përgjigjur rrugës për në spital, teksa klubi njoftoi se ai është jashtë rrezikut për jetën, por e kaloi natën nën monitorimin e mjekëve dhe ka kryer një sërë analizash, të cilat nuk kanë shfaqur anomali në shëndetin e lojtarit.