Trajneri i Valencias: E vetmja herë kur s’vuajta nga Messin ishte kur e pashë t’u marrë tretman jashtë fushe

Futboll

Trajneri i Valencias: E vetmja herë kur s’vuajta nga Messin ishte kur e pashë t’u marrë tretman jashtë fushe

Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 09:05
Valencia - Barcelona

Për Marcelinon çdo sekondë i superyllit argjentinas në fushë kundër skuadrës së tij ka qenë kokëçarje, siç e dëshmon edhe dygolëshi i tij në fund.

Lionel Messi e dëshmoi përsëri madhështinë e tij ndaj Valencias duke shënuar dy gola për t’ia mohuar fitoren djelmoshave të Marcelinos në “Camp Nou” të shtunën në La Liga.

Edhe pse Marcelino ishte i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij për ta fituar një pikë në barazimin 2-2, Messi ia bëri natën stresuese trajnerit të Valencias pasi shënoi dy herë për ta barazuar rezultatin.

“Kur je duke fituar 2-0 dhe pastaj ndalesh me barazim, atëherë je paksa i zhgënjyer. Por, të fitosh këtu duhet të luash në mënyrë spektakolare dhe ne e bëmë, ama nuk patëm fat”, tha Marcelino.

“Ekipi im po rritet sepse tani ne jemi në gjendje të shënojmë gola, gjë e cila na kishte munguar”, shtoi ai.

Ai foli edhe për Messin dhe vuajtjet që argjentinasi ia shkakton.

“Ishte vetëm një moment me Messin kur unë nuk vuajta: kur e pashë jashtë vijës anësore. Ai është shumë vendimtar dhe i jep formë të gjithë ekipit; ai është futbollit i jashtëzakonshëm”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat