Gati rinovimi për Solskjaerin - Bota Sot
Gati rinovimi për Solskjaerin

Futboll

Gati rinovimi për Solskjaerin

Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 13:29
Gati rinovimi për Solskjaerin

Ole Gunar Solskjaer thotë se Mançester Junajtid i ka dhënë një shans vetes për të hyrë mes katër ekipeve të para të Premier Ligës, më herët sesa ai kishte parashikuar. “Djajtë” renditeshin 11 pikë larg vendit të katërt kur norvegjezi zëvendësoi Murinjon në dhjetor, por pas 6 fitoresh radhazi dhe një barazimi, 20 herë kampionët e Anglisë e shohin veten 5 pikë pas Çelsit, por kanë luajtur një ndeshje më pak.

Testet më të forta për Solskjaerin vijnë këtë muaj, me ndeshjet kundër Çelsit, Liverpulit dhe PSG-së, të gjitha në harkun e 12 ditëve. Gjithsesi, “vrasësi me fytyrë engjëllore” është i bindur se ata do t’ia dalin. “E shoh skuadrën shumë mirë të armatosur. Tani kemi 6 javë së bashku dhe kemi identifikuar pikat e forta dhe të dobëta. Mendoj se ne kemi qenë në lartësinë e duhur në të gjitha sfidat e deritanishme, ndoshta me përjashtim të dy golave që pësuam nga Bërnleji, të cilët do të na bëjnë që të kapërcejmë në nivelin tjetër, sepse unë mendoj se ne i kemi dhënë vetes një shans për të hyrë në 4 vendet e para më herët sesa kishim menduar.

Është një muaj i vështirë, por ne jemi gati. Vetëm Roho është i dëmtuar, të tjerët janë të gjithë në dispozicion”, tha tekniku, të cilit i është besuar stoli deri në fund të këtij sezoni. Por në Angli janë optimistë se 45-vjeçari do e “tradhtojë” paktin e Molden për t’u rikthyer në verë. “The Sun” shkruan se administratori Uduard është i befasuar nga ndryshimi i fytyrës së skuadrës në kaq pak kohë dhe nëse Junajtid do ta eliminojë PSG-në nga Liga e Kampioneve, atëherë Oles do t’i ofrohet një kontratë afatgjatë në Teatrin e Ëndrrave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...