Calhanoglu: Me Piatek në skuadër, jemi gati për Champions

Futboll

Calhanoglu: Me Piatek në skuadër, jemi gati për Champions

Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 18:47
Calhanoglu: Me Piatek në skuadër, jemi gati për Champions

Mbase po kalon momentin më të keq të dy sezoneve të tij te Milani, por Hakan Calhanogluështë i përqendruar tek objektivat ekiporë.
Në këtë kuadër, turku ka analizuar sfidën e Romës, të cilën e ka cilësuar si të rëndësishme për të mbajtur në distancë një rival direkt për vendin e katërt. Champions League por edhe shokët e sulmit janë pjesë e intervistës së 24-vjeçarit për HDL.
Si e gjykoni sfidën e së dielës në “Olimpico”?
"Megjithëse vinte pas një rezultatit të rëndë si 7-1 ndaj Fiorentinës, Roma luajti një ndeshje të mirë ndaj nesh. Më duhet t’i përgëzoj, megjithëse e bëra edhe në fushë. Në 20 minutat e para ata luajtën më mirë, por ne u treguam më të zotë në gjetjen e golit. Që nga ai moment, verdhekuqtë vijuan të sulmonin pa u dorëzuar dhe ekuilibruan me meritë takimin.
Sa rëndësi ka për Milanin pika e marrë ndaj Romës?
"Barazimi në sekondat e para të pjesës së dytë na e bëri të vështirë. Duke parë ecurinë e ndeshjes, mendoj se barazimi ishte rezultati i duhur, ndërkohë që avantazhin mund ta kishim menaxhuar ndryshe. U treguam të zotë që qëndruam në lojë për 90 minuta. Laksalti kishte një rast të mirë, por edhe ne të tjerët mund dhe duhet të bënim më shumë. Ndaj Romës do të kishte shumë vlerë fitorja, por duke parë situatën, edhe fakti që nuk humbëm ka shumë rëndësi.
Cili është ndryshimi mes Higuainit dhe Piatekut?
"Me Gonzalon kisha një raport shumë të mirë dhe më erdhi keq kur mësova për largimin. Nuk është më pjesë e grupit, por i uroj më të mirën në karrierë. Tani që kemi Piatek, nuk ka ndryshuar asgjë. Ai u përshtat shumë shpejt me shokët dhe ne u munduam ta prisnim sa më mirë. Njihemi prej pak ditësh, por shkojmë mirë.
Cili është objektivi juaj në pjesën e mbetur të sezonit?
"Jemi në vendin e katërt, por nuk kemi arritur asgjë. Duhet të vijojmë të punojmë fort për të forcuar pozitat tona sepse edhe ekipet që na ndjekin janë pranë. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm si për mua ashtu edhe për klubin, ndaj Champions-it nuk duhet t’ia ndajmë sytë. Milani nuk e luan prej disa sezonesh dhe ne dëshirojmë t’ia dhurojmë vetes dhe tifozëve këtë mundësi", përfundoi Calhanoglu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat