Cilat skuadra i sheh Tovërlani në luftë për titull?

Futboll

Cilat skuadra i sheh Tovërlani në luftë për titull?

Nga: Kemajl Goca Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 16:01
Afrim Tovërlani

Me ndeshjet e Kupës së Kosovës fillon stinori pranveror në futboll. Pritet pranverë e nxehtë në dy rrafshe: në luftë për titullin e kampionit dhe te ato që mëtojnë mbetjen në elitë.  Trajneri i mirënjohur Afrim Tovërlani parashikon  pranverë interesante e me rivalitet të madh. Ai flet edhe për infrastrukturën sportive, për përforcimet që kanë bërë klubet, cilat skuadra i sheh më serioze për titull dhe a kemi futbollist të Superligës që mund të jetë të ardhmen pjesë e Kombëtares së Kosovës.   

“Bota sot”: Të shtunën nis pjesa e dytë e kampionatit me Kupën e Kosovës, si e sheh gjendjen në përgjithësi, presim më shumë cilësi nga klubet?

Afrim Tovërlani: Pres një sezon të mirë dhe me rivalitet të madh. Ato klube që ishin serioze në fillim të kampionatit edhe tash të njëjtat ishin serioze. Prapë patëm klube që ishin deri vonë në gjumë dhe pasive.

“Bota sot”: Shumë klube janë përforcuar, ka raste që kanë qenë të frytshme, por edhe të gabueshme, a mund të digjet ndonjë ekip?

Afrim Tovërlani: Se si do të dalin përforcimet duhet të presim dhe koha të na tregoj. Po një gjë e di që çurani natën e bajramit nuk mbahet.

“Bota sot”: A është infrastruktura edhe një segment i rëndësishëm për rritjen e cilësisë, a është më e mirë se vitet paraprake apo duhet ende shumë investime?

Afrim Tovërlani: Patjetër që infrastruktura është një faktor i rëndësishëm për lojë më të mirë. Pak është më e mirë por jo ajo që ne duam. Fushat sintetike janë të mira për ndonjë stërvitje kur kushtet klimatike janë me të reshura por jo edhe për ndeshjet. Janë të dëmshme shumë për futbollist dhe nuk janë të standardeve të larta.

“Bota sot”: Tri skuadra për titull e tjerat për mbijetesë, a do të jetë një kampionat më shumë dramë dhe me të papritura, si dhe kë e sheh më afër titullit?

Afrim Tovërlani: Sipas meje, sa i përket Llapit janë dy ndeshjet e para të fillimit kur përballet me Prishtinën dhe “Niklin” që do të dihet nëse do të luftoj për titull. Përndryshe mendoj se favoriti kryesor është Prishtina e cila ka shpenzuar shumë në tri vitet e fundit dhe nuk ka arritur te titulli. Kuptohet edhe Ferenikeli ka ekip të mirë dhe stabilitet por më duket se Prishtina është më e kompletuar. Tjerat do të luftojnë t’i ikin rënies së drejtpërdrejt dhe barazhit. Më në fund mund te them se gabimet eventuale te referëve mund të ndikojnë në luftë për titull dhe ekzistencë.

“Bota sot”: A ka mundësi që ky brumë që ka Superliga të nxjerrim ndonjë futbollist për Kombëtaren e Kosovës?

Afrim Tovërlani: Besoj që ka disa futbollist të rinj, të mirë që munden në të ardhmen të jenë pjesë e përfaqësueses. Por shumë më mirë do të ishte nëse dalin në ndonjë klub evropian dhe kaliten më mirë se tek ne në të gjitha aspektet siç dolën Rashica, Zhegrova e disa tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat