Tirana kërkon arbitra të FIFA-s

Futboll

Tirana kërkon arbitra të FIFA-s

Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 10:23
Tirana kërkon arbitra të FIFA-s

Nuk dihet nëse ka mbaruar “dashuria” me Kukësin apo nëse kanë informacione se gjyqtarët mund t’u bëjnë gjëmën kundër nënkampionëve. Fakt është se bardheblutë i kanë kërkuar FSHF-së që ndeshjen me veriorët të dielën ta drejtojë një treshe me grada ndërkombëtare. Tirana është në moment delikat dhe me të drejtë zyrtarët e saj kërkojnë që të ruajnë trendin pozitiv të rezultateve në 2019-ën.

Një rezultat i mirë për Kukësin mund të shtojë besimin e bardhebluve për ndeshjet në vijim. Por pse këmbëngul Tirana për arbitra të FIFA-s? E kaluara na ka mësuar se “fshihen” tri motive pas një kërkese të tillë:

1) Duan drejtësi në një ndeshje delikate, me qëllim që një skuadre të brishtë të mos i rëndojë psikologjikisht edhe ndonjë protagonizëm i tepruar i gjyqtarit…

2) Kanë informacion paraprak se kundërshtarët luajnë “nën rrogoz” dhe me një kërkesë të tillë i tërheqin vëmendjen jo vetëm FSHF-së, por i hedhin gjyqtarit edhe presionin e opinionit publik…

3) “Lajnë duart” qysh në start, duke thënë se “ne e bëmë tonën”, por kaq i kishim mundësitë dhe rezultati është ky që është… Vitet e fundit Tirana ka rezultuar një klub që nuk ka marrë shumë “dashuri” nga gjyqtarët, përkundrazi, ndonjëherë ata e kanë rënduar dorën me 24 herë kampionët.

Por nuk kanë munguar as rastet kur Tirana është bërë njësh me realitetin shqiptar të dekadës së fundit dhe ka pranuar hapur kompromise. I fundit ishte “dueti” me Kukësin dy sezone më parë, teksa luajtën me llogari dhe në fund ndanë trofetë: Kukësi kampion, ndërsa Tirana fituese e Kupës. Fundin të gjithë e mbajmë mend, sepse Tiranës as ai trofe dhe as ai lloj kompromisi nuk e shpëtoi dot nga rënia nga kategoria. Për herë të parë në historinë e saj...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat