Shpërndahen rrogat për lojtarët

Futboll

Shpërndahen rrogat për lojtarët

Më: 9 shkurt 2019 Në ora: 13:08
Shpërndahen rrogat për lojtarët

Më 25 janar presidenti Gjici mori vendimin për ta penalizuar ekipin me një gjobë, atë të muajit nëntor. Shkaku ishte performanca e dobët e ekipit. Por, duke qenë se ekipi mori rezultate të mira në javën e fundit, tri pikët në Vlorë dhe kalimin më tej në Kupën e Shqipërisë për në çerekfinale, ai pezulloi gjobën.

Gazeta e ka bërë me dije ekskluzivisht gjobën dhe anulimin e saj. Në vazhdimësi të shkrimit të djeshëm, del ajo çka gazeta theksoi. Presidenti në vigjilje të sfidës me Tiranën pezulloi gjobën dhe financa disbursoi rrogat e nëntorit. Kështu, futbollistët ditën e djeshme në drekë kanë shkuar dhe kanë tërhequr pagesat pranë zyrës së financës. Kjo rrogë ka kënaqur lojtarët, e cila për ta do të shërbejë dhe si një stimul më shumë për përballjen ndaj kryeqytetasve. Por, gazeta mëson sërish çudinë në klubin verilindor, pasi kanë qenë pjesëtarët e stafit ata që nuk kanë pasur rroga. Nuk dihet akoma nëse presidenti Safet Gjici ua ka falur vetëm lojtarëve apo është thjesht një ngatërrim në lidhje me stafin. Fakti është se atyre nuk u ka dalë paga e nëntorit. Mbetet për t’u zbardhur arsyeja e këtij ndalimi të rrogës për stafin e ekipit.

NDESHJA- Trajneri Cungu ka nxjerrë në stërvitje ekipin ditën e djeshme në orën 14:00 në Pezë Helmes. Tekniku ka pasur në dispozicion gjithë organikën, por vetëm Maliqi pritet të jetë mungesa e vetme ndaj Tiranës, pasi lojtari akoma nuk është rikuperuar plotësisht. Pa harruar Besar Musollin, i cili pritet që në fund të marsit të jetë gati për të luajtur. Rikthehen Ardian Cuculi, Irakli Dzaria e Uilliam Melo, të cilët pritet të jenë titullarë ndaj Tiranës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat