Saha paralajmëron për Mbappen

Futboll

Saha paralajmëron për Mbappen

Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 14:52
Saha paralajmëron për Mbappen

Ish-sulmuesi i Manchester United, Louis Saha, ka paralajmëruar skuadrën e tij të vjetër se do të përballet me një sulmues të jashtëzakonshëm, i cili nuk mund të ndalet. Këtu ka parasysh yllin e PSG-së, Kylian Mbappe. Ole Gunnar Solskjaer do të drejtojë ndeshjen e parë në Ligën e Kampionëve, që nga marrja përsipër e rolit të trajnerit kujdestar të “Djajve të Kuq”. 

PSG është përballur me një seri dëmtimesh për ndeshjen e mbrëmjes së sotme në “Old Trafford”, me Neymar, Edinson Cavani dhe Thomas Meunier, që nuk mund të luajnë, ndërsa Marco Verratti nuk është në formë optimale. Sidoqoftë, Saha mendon se fituesi i Kupës së Botës, Mbappe, do ta ndihmojë skuadrën e Thomas Tuchel. "PSG është paksa favorit karshi Manchester United, pavarësisht problemeve me dëmtimet, - tha ai për “Omnisport”.- Francezët kanë një lojtar si Mbappe, i cili nuk mund të ndalet. 

Manchester United është një klub i madh, me lojtarë cilësorë. Edhe PSG-ja është e fortë, sepse trajneri Tuchel ka sjellë më shumë stabilitet mes mbrojtjes dhe sulmit. Trajneri me lehtësi mund ta ndryshojë sistemin e tij, është shumë i zgjuar dhe ka komunikim të shkëlqyer me lojtarët. Ai ka një staf të shkëlqyer stërvitor, i aftë për të identifikuar filozofinë e kundërshtarit. Ne e kemi parë atë duke e ndryshuar sistemin e lojës disa herë gjatë një ndeshjeje”.

PSG u konsiderua favorit i këtij ballafaqimi në 1/8 finale të Champions-it, kur u hodh shorti në dhjetor, por problemet me lëndimet, së bashku me formën e jashtëzakonshme të “Djajve të Kuq” nën drejtimin e Solskjaer, e bëjnë ndeshjen të paparashikueshme. Saha, në fakt, mendon se Manchester United nuk duhet të përjashtohet nga gara për trofeun e këtij sezoni, edhe pse pozicionohet i katërti në Premier League për momentin, me 14 pikë pas liderëve të Manchester City: 

"Liga e Kampionëve është një botë tjetër. Ne e kemi parë se çfarë ndodh në këtë kompeticion me Liverpool dhe të tjerët. Disa nuk ishin më të mirët në kampionatin përkatës, por surprizuan në Ligën e Kampionëve. Në Champions kohezioni rritet, nuk është njësoj si në kampionat. Ky kompeticion është për lojtarët që luajnë lirshëm, që përballojnë tranzicionet e shpejta dhe presionin e minutave të fundit të lojës. Zinedine Zidane e fitoi tri herë radhazi Ligën e Kampionëve dhe na tregoi se si ta bëjmë këtë. Ole mund të bëjë të njëjtën gjë".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat