Bardhoku: Vëllaznimi nuk i trembet asnjë ekipit

Futboll

Bardhoku: Vëllaznimi nuk i trembet asnjë ekipit

Nga: Kemajl Goca Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 17:04
Tun Bardhoku

Vëllaznimi lufton në dy fronte: për dy vendet e para në ligën e parë, që i shpie direkt në elitën e futbollit, si dhe për të siguruar biletën për në finalen e Kupës së Kosovës. Gjakovarët e filluan për mrekulli stinorin pranveror, duke i shkaktuar humbje me rezultat 1:0 kampionit në fuqi Dritës nga Gjilani, në ndeshjen e çerekfinales, kësisoj u kualifikuan më tutje. Mbrojtësi Tun Bardhoku është heroi i kualifikimit të gjakovarëve.

Një gol që do të mbetet gjatë në kujtesën e tij. “Jam i kënaqur që me golin tim ekipi arriti të kualifikohet në fazën tjetër dhe me grupin që kemi, besoj që do të arrijmë në finale edhe pse nuk do të jetë lehtë, pasi dihet se ekipet që kanë mbetur janë me të vërtet cilësore dhe me një fond të lojtarëve mjaft të fortë”, tha Bardhoku për gazetën kombëtare “Bota sot”. Bardhoku me bashkëlojtarë me padurim presin shortin e gjysmëfinales së Kupës. Cilën skuadër nuk e do për rival: Trepçën ’89, Ballkanin apo Feronikelin?

Image

“Ne jemi duke u përgatitur për të tria ekipet, nuk është që kam ndonjë preferencë se cilit ekip me ju shmangur, pasi që dihet se Vëllaznimi është ekip i madh dhe nuk i trembet asnjë ekipit”, përgjigjet futbollisti.  Vëllaznimi është renditur i pesti me 29 pikë gjatë vjeshtës, me synime për dy vendet e para. “Në këtë sezon Vëllaznimi do të ketë krejt fytyrë tjetër, pasi që kemi edhe fondin e mjaftueshëm të lojtarëve dhe jemi përgatitur maksimalisht për inkuadrimin në Superligë”, theksoi ai.

A mendoni se do të jetë një kampionat i vështirë? “Po, duke marr parasysh pozitën ku jemi, edhe duke pa mobilizimin e ekipeve tjera në ligën e parë, do të jetë mjaft vështirë por prapë besoj fuqishëm në grupin që kemi”, nënvizoi Bardhoku. Mbrojtësi mendon se krahas Vushtrrisë që ka krijuar një epërsi në renditje, të tjerat nuk janë larg me pikë. “Përveç Vushtrrisë që ka krijuar avantazh më të madh nga ne, ekipet tjera i kemi më afër dhe përparësia jonë është që i presim ekipet si Besa, Dukagjini dhe Vitinë”, thotë Bardhoku. Ai flet edhe për tifozët “Kuqezinjtë e Jakovës” dhe kushtet që kanë brenda klubit.

Image

“Shikuesit janë gjithmonë motivi i futbollistëve, edhe duke marr parasysh që ekipi ynë ka përkrahje të madhe nga tifozët tanë njëkohësisht i falënderoj ‘Kuqezinjtë e Jakovës’ dhe ‘1927’ për atmosferën e krijuar dhe mbështetjen që na kanë dhënë gjatë gjithë kohës. Sa i përket kushteve Vëllaznimi asnjëherë nuk ka pasur kushte më të mira se tani. Gjithçka është e përkryer”, përfundoi Bardhoku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat