Duka zbërthen dënimin e Skënderbeut, mesazh për Panuccin

Futboll

Duka zbërthen dënimin e Skënderbeut, mesazh për Panuccin

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 12:57
Armand Duka

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka shpeshtuar daljet e tij televizive pas përzgjedhjes si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Numri një i institucionit më të lartë të futbollit në vendin tonë ishte i ftuar në televizionin "A2 News". Ai preku një sërë çështjesh, por u ndal te vendimi i UEFA-s për Skënderbeun. 

Duka mohon lajmet e përhapura se ishte dakord me vendimin e dënimit të kampionëve të Shqipërisë, madje e kundërshton diçka të tillë. 56-vjeçari e quan të padrejtë vendimin për korçarët, pavarësisht se në asamblenë e UEFA-s, dënimi i "ujqërve" me 10 vite përjashtim nga kompeticionet e Europës dhe 1 milion euro gjobë cilësohej si sukses. 

"Dënimi i Skënderbeut është i paprecedent, nuk ka ndodhur asnjëherë. Nuk do isha dakord me një dënim të tillë, pasi dënimi është i përjetshëm nëse e zbërthen tamam. Mendoj që nuk është rasti më i keq, por është bërë për t’u marrë shembull”, u shpreh Duka në emision.  

Presidenti i FSHF-së tregon dhe objektivin e kuqezinjëve në kualifikueset e Euro 2020. Presidenti nuk trembet, pavarësisht se ka kundërshtar kalibri përballë. "Franca është kampione e botës dhe është në formë të shkëlqyer sportive, por nuk ka diferenca mes Turqisë dhe Moldavisë, apo Islandës dhe Shqipërisë. Sigurisht që kualifikimi nuk është mision i lehtë, por ne do ta tentojmë.

“Objektivi ynë është që të fitojmë çdo ndeshje, dhe nëse e bëjmë këtë do të dalim të parët. Por në futboll jo gjithmonë arrihen ato që ke vendosur si objektiv. Grupi ku ne luajmë mendoj që është i balancuar. Por i kam thënë Panuccit pas shortit, kush llogarit 6 pikë me Andorrën i ka të humbura”, përfundoi Duka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat