Flet si lider

Futboll

Flet si lider

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 15:27
Lancinet Sidibe

Në harkun e një sezoni ka çaste që të injektojnë pesimizëm, kur duket se asgjë nuk funksionon dhe fitorja është larg pavarësisht se bën gjithçka në mënyrën e duhur. Teuta po kalon një fazë mini-krize rezultatesh, është e vërtetë që djemtë e detit e kanë të panjohur fjalën humbje prej 15 takimesh por është gjithashtu e vërtetë që në vitin 2019-të durrsakët kanë dorëzuar 6 pikë kundrejt kryesuesve të Partizanit. Momentet e vështira kërkojnë kurajo dhe një nga futbollistët kryesor të skuadrës  Lancinet Sidibe ka besim tek reagimi i Teutës.

“Eshtë një moment i vështirë pasi kemi barazuar 4 herë në 4 ndeshjet e fundit në kampionat, nuk kam përse ta mohoj që është një situatë jo e mirë për ne, por unë kam besim tek ky grup lojtarësh dhe shpresoj që me ndihmën e Zotit t’i rikthehemi çasteve të lumtura.”

Pika e kthesës mund të jetë të premten në supersfidën përballë Kukësit, 22-vjeçari nga Guinea nuk kërkon të marrë petkun e favoritit duke vlerësuar me nota të larta nënkampionët e Shqipërisë.

“Ndeshja e kësaj jave kundër Kukësit është një sfidë mjaft e  vështirë për ne përballë një skuadre shumë të fortë, por e përsëris që kam shumë besim tek Teuta dhe  shpresoj që kjo ndeshje të shërbejë si pikë kthese.”

Çështja e titullit është ndërlikuar por pjesëmarrja në  Europë të paktën sipas Lancinet Sidibes është një çështje që nuk ka nevojë as të parashtrohet për diskutim.

“Mendoj se nuk vendoset në diskutim objektivi Europë. Jemi një grup i ri lojtarësh me dëshirën për të bërë mirë, për të treguar se sa vlejme dhe këtë synojmë ta bëjmë në çdo ndeshje, dhe mendoj se është e sigurt që verën e ardhshme Teuta do të luajë në Europë”.

Teuta ka vijuar rregullisht përgatitjet me Tomislav Busic që duket se do të jetë i gatshëm, ndërsa do të mungojë Uendi Vecaj që ende po vuan nga një dëmtim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat