Nuk ka tolerime

Futboll

Nuk ka tolerime

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 17:22
Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu

Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, kanë mbajtur një takim me kryetarët e klubeve të Ligës së Parë, në prag të fillimit të stinorit pranveror. Ademi theksoi se liga e parë dhe klubet e këtij rangu janë boshti i futbollit të Kosovës, pasi është ligë që e furnizon Superligën dhe për këtë arsye FFK-ja synon që ta rrisë nivelin e kësaj lige në të gjitha aspektet. Presidenti i njoftoi se Liga e Parë është në monitorim jo vetëm të FFK-së, por edhe të UEFA-s dhe të Këshillit Kombëtar kundër dukurive negative.

“E kam thënë edhe më parë dhe po ua them edhe juve, i kam luftuar gjithmonë dukuritë negative dhe do të vazhdoj t’i luftoj. Nuk do të ketë asnjë tolerim nga ana jonë ndaj çdo dukurie që prish imazhin e mirë të FFK-së në UEFA e FIFA, por edhe në vendin tonë. Pra, objektivi kryesor është që të kemi rregullsi të garave sa më shumë që të jetë e mundur, sepse gjithçka çfarë ndodhë monitorohet nga kompanitë që i ka kontraktuar UEFA, por edhe nga organet tona të drejtësisë.

Gjithsesi, ne përveç që po kërkojmë rregullsi nga ana juaj, të njëjtën gjë e kemi kërkuar dhe do ta kërkojmë vazhdimisht edhe nga gjyqtarët dhe zyrtarët e tjerë që janë të angazhuar në ndeshje. Pra, nëse secili e japim kontributin tonë dhe punojmë profesionalisht, atëherë sigurisht se garat do të kenë rregullshmëri dhe cilësia do të jetë në rritje”, ka theksuar Ademi. Tutje, ai ka kërkuar nga drejtuesit e klubeve që të punojnë më shumë më tifozeritë e tyre dhe të shmangin dukuritë negative, në mënyrë që t’iu mundësohet njerëzve që të vijnë në stadiume me familjet e tyre dhe ta shijojnë lojën e futbollit, derisa ka bërë të ditur se FFK do t’i ndihmojë klubet e këtij rangu me nga 5 mijë euro.

“Klubet e Ligës së Dytë dhe shkollat e futbollit në regjione i kemi ndihmuar me fanella, derisa juve e kemi parë të arsyeshme t’iu ndihmojë me këtë shumë të parave, që sadopak t’ua lehtësojmë punën organizative në vazhdim të këtij kampionati”, ka nënvizuar Ademi. Ndërkaq, Salihu ka thënë se është mirë që presidenti Agim Ademi vjen pikërisht prej pjesës së njerëzve që kanë dhënë shumë për futbollin dhe ua dinë hallin të gjithë drejtuesve dhe sponsorëve të klubeve. “Ndoshta për juve nuk është një shifër e madhe, por për neve si federatë janë në pyetje 80 mijë euro, por këtë vendim për t’iu ndihmuar presidenti dhe KE i FFK-së e ka marrë me vullnetin më të mirë për t’iu përkrahur, duke i ditur vështirësitë me të cilat ballafaqoheni.

Po shihet se dita – ditës futbolli tek ne po përmirësohet, por normalisht se kërkohet organizim më i mirë i klubeve. E kemi krijuar një imazh të mirë tek UEFA e FIFA me organizimin e ndeshjeve të Kombëtares në Prishtinë dhe është vërtetë krenari që kemi një respekt aq të madh para drejtuesve të dy instancave kryesore të futbollit. Prandaj, ju ftoj që edhe ju të punoni maksimalisht në organizim sa më të mirë, në mënyrë që t’iu shmangim problemet dhe dukuritë negative që mund të na qesin hije të keqe”, ka thënë Salihu. Ndërkohë, disa prej drejtuesve të klubeve kanë kërkuar që skuadrat mikpritëse të organizojnë ndeshjet më mirë, të punojnë më shumë me tifozët dhe pa marrë parasysh synimet që kanë ta pranojnë me ‘fair-play’ edhe barazimin apo humbjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat