Beqiri: Takohemi me një skuadër që gëzon respekt të madh

Futboll

Beqiri: Takohemi me një skuadër që gëzon respekt të madh

Nga: Kemajl Goca Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 19:03
Beqiri: Takohemi me një skuadër që gëzon respekt të madh

Skuadrat kanë mësuar kundërshtarët për ndeshjet e gjysmëfinales së Digitalb Kupës së Kosovës në futboll.  Ndonjë skuadër vlerësohet se do ta ketë më lehtë e ndonjë shumë më vështirë, por si gjithmonë ndeshjet e Kupës kanë qenë të paparashikueshme dhe sa e sa herë favoritët janë eliminuar, siç ndodhi në ndeshjet e çerekfinales kur klubi më i trofeshëm në vendin tonë, fituesi i kupës për edicionin e vjetëm, Prishtina, u eliminua me penallti me rezultat 5:4 (0:0) nga Trepça ’89 dhe Drita kampion në fuqi, pësoi humbje me 1:0 nga Vëllaznimi në Gjakovë.

Në selinë e FFK-së, në praninë e zv. sekretarit të përgjithshëm, Arianit Ahmeti, Komisionit të Garave dhe përfaqësuesve të klubeve është bërë tërheqja e shortit, ku nxori këto përballje në gjysmëfinale: Vëllaznimi-Trepça ’89 dhe Ballkani-Feronikeli. Përballja Vëllaznimi – Trepça ’89, është edhe përballja e rivalëve të vjetër e cila pritet me emocione, sikurse edhe ajo në mes Ballkanit e Feronikelit.

“Ndeshjet e para do të zhvillohen më 17 prill, derisa ndeshjet e kthimit do të luhen më 1 maj”, bëhet e ditur nga FFK. Portieri i Trepçës ’89, Arben Beqiri, ka deklaruar se synimi i tyre është trofeu i Kupës së Kosovës. “Prej fillimit të edicionit synimi ynë ka qenë Kupa e Kosovës sepse siç dihet është rrugë më e shkurt për të dal në Europë por gjithsesi edhe e vështirë, sepse kemi eliminuar skuadra mjaft të forta gjatë kësaj rruge.

Sa i përket shortit fati ka dashtë që takohemi me një skuadër që gëzon respekt të madh siç është Vëllaznimi.  Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë dhe e rëndësishme për dyja skuadrat, besoj që me këtë lloj paraqitje që e bëmë kundër Prishtinës do të kalojmë në finale”, tha Beqiri.

Portieri tha se nuk sheh favoritë. “Jemi ndeshë në fazë përgatitore me Vëllaznimin dhe ka një skuadër mjaft të organizuar,  nuk shoh favorit absolut të kësaj ndeshje. Jemi ekip me kualitete të përafërta dhe shpresoj që ta kemi edhe fatin në anën tonë e të ecim më tej”, thotë Beqiri, i cili ka qenë hero i Trepçës ’89 në triumfin ndaj Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat