Selmani: Në disa klube prurjet më shumë janë të bazuara në shije

Futboll

Selmani: Në disa klube prurjet më shumë janë të bazuara në shije

Nga: Kemajl Goca Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 13:54
Agron Selmani

Agron Selmani, trajner i futbollit, ka sugjeruar se para se të firmoset me një futbollist, e mira e të mirës është që të diagnostikohet gjendja e secilit prej tyre.  Selmani mendon se në disa klube prurjet më shumë janë të bazuara në shije se sa duke u bazuar edhe në mendimin e njerëzve të profesionit.

Bota sot”: Para pak ditëve e keni shtruar një temë shumë të ndjeshme, e para, para se të firmoset me një futbollist duhet të diagnostikohet gjendja e futbollistit, çfarë nënkupton kjo?

Agron Selmani: Tani më gjërat në futbollin elitar të Kosovës nuk janë sikur ishin dje, evaluimi po ndodhë, klubet tani me duhet të ndërtojnë dhe të implementojnë procedurat standarde dhe rreth angazhimit të një lojtari, gjë që përveç të tjerave nënkupton gjendjen shëndetësore dhe fizike te lojtarit para se të hyjmë në marrëdhënie kontraktuale.

“Bota sot”: Një periudhë e keni udhëhequr si trajner Ferizajn, Gjilanin, Vushtrrinë, Flamurtarin, Vllazninë e Pozhoranit etj. por ju deklaroni se përveç negociatave të përgjithshme me lojtarin, lojtarit i bëhet edhe një diagnostikim i përgjithshëm i gjendjes shëndetësore por edhe i përgatitjes fizike dhe në bazën e rezultateve të fituara, atëherë mund të negociohet edhe për marrëveshjen përfundimtare lojtar-klub. Një mesazh i qartë për komunitetin e futbollit, por në klubet ku ishit Ju si trajner në të kaluarën, a janë zbatuar këto rregullat e domosdoshme?

Agron Selmani: Në klubet ku unë kam drejtua dhe menaxhuar me ekipin, disa gjëra janë implementuar pjesërisht, jo për justifikim por klubet nuk kanë qenë të gatshme të përballojmë koston e një shtabi teknik dhe mjekësor të strukturuar mirë, por ku është dallimi për dje dhe sot !?....Sot bëjmë fjalë për organizimin e klubeve në nivel profesional dhe jo në baza amatore, vitin e fundit futbolli kosovar konkretisht elita e klubeve kosovare tani më marrin pjesë në garat e UEFA-së, janë rritur dukshëm financat nëpër klube dhe tani më nëpër klube shtabi teknik ka një strukturë profesionale dhe mjekësore dhe megjithatë po vërehet se në disa klube prurjet më shumë janë të bazuara në shije se sa duke u bazuar edhe në mendimin e njerëzve të profesionit apo të institucioneve përkatëse.

“Bota sot”: Sa dëgjohet zëri i trajnerit, kur vet keni qenë trajner në ekipe të njohura, cila është e vërteta?

Agron Selmani: Disa klube me sa po vërej unë kanë reforma të dukshme dhe jo vetëm sipërfaqësore në këtë fazë tranzicioni që nga pranimi i Kosovës në UEFA dhe kjo për të mirë nga ana klubeve, unë nuk e mohoj apo pohoj se mund të ketë marrëdhënie kontraktuale me lojtar që mund të mos e kenë gjendjen fizike dhe shëndetësore të mirë dhe nuk e përjashtoj edhe elementet të lobimit këtu, por po dëgjojmë deklarata dhe raporte nga ndeshje të ndryshme se lojtarët nuk janë të përgatitur mirë për një ndeshje dhe unë po e potencoj edhe elementin e riskut që ne e marrin kur ia japim një po angazhimit të lojtarit.

“Bota sot”: A janë më shumë trajnerët kukulla në klube apo ka raste që merret edhe mendimi i tij?

Agron Selmani: Në parim asgjë nuk bëhet pa marrë mendimin e trajnerit, në disa klube është i instaluar pozicioni i drejtorit sportiv dhe një korrespodencë e shëndosh mes pozicionit të drejtorit sportiv dhe Shefit të Shtabit nuk do të lejonte interpretime të ndryshme. Por, ka situatë kur trajneri duke pritur ditë më të mirë për vetveten, për lojtarët, për ekipin në përgjithësi pranon presionin të grupit pranon edhe mendimet apo ofertat nga njerëzit që janë afër klubit apo drejtpërdrejtë në klub.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat