Kapiteni i Real Madridit ka ndërruar fjalët në lidhje me kartonin e verdhë.
Sergio Ramos, u ndëshkua me karton të verdhë në fundin e ndeshjes kundër Ajaxit mbrëmë, që do të thotë se do të mungojë për pezullim në ndeshjen e kthimit në Bernabeu.
Ramos e mori qëllimisht kartonin edhe pse fillimisht nuk u duk ashtu, por deklarata e tij pas ndeshjes e konfirmoi.
“E kisha në mendje kartonin, do të gënjeja nëse do të thosha që nuk e mora qëllimisht”. “Nuk është mirë të mendojmë se jemi kualifikuar, por vendosa që është më mirë të mungoj në ndeshjen e ardhshme. Do jem si tifoz në tribunë“, deklaroi 32-vjeçari, pa e ditur se kështu dënoi vetveten.
Rastet e ngjashme sanksionohen nga UEFA dhe kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën.
Ramos, i cili dje luajti ndeshjen numër 600 me fanellën e Realit, e kuptoi gabimin dhe postoi një mesazh në Twitter, duke përgënjeshtruar veten. “Në një ndeshje ka shumë tension, vendimet duhen marrë për punë sekondash”. “Më vjen keq që nuk do jem me shokët e skuadrës për një ndeshje, nuk e mora qëllimisht kartonin e verdhë”.
Por a do t’i shpëtojë Ramos dënimit? Këtë do ta mësojmë shumë shpejt.