“Eksperiment i dështuar, Alexis Sanchez duhet të kthehet tek Arsenali”

Futboll

“Eksperiment i dështuar, Alexis Sanchez duhet të kthehet tek Arsenali”

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 10:04
Alexis Sanchez

Alexis Sanchez duhet të kthehet tek Arsenali. Kështu pretendon ish-ylli i “Topçinjve” të Londrës, Marc Overmars. Sulmuesi nga Kili ka gjasa të marrë vendimin për t'u larguar nga Manchester United, ku nuk ka gjetur hapësira dhe ka shënuar fare pak, përkundrejt faktit se është lojtari më i paguar në këtë skuadër.

30-vjeçari la “Emirates” gjatë sezonit 2017-2018, pasi kontrata e tij në veri të Londrës po shkonte drejt fundit, pa rinovuar. Arsenali pranoi një marrëveshje “tregtare” me rivalët e Premier League, që të merrte Henrikh Mkhitaryan, ndërsa Sanchez ndoqi rrugën e kundërt.

Megjithatë, asnjëri klub nuk ia ka parë "hajrin" asaj marrëveshjeje, me dy lojtarët në fjalë që nuk kanë treguar më të mirën, pavarësisht pritshmërive të larta. Sanchez është paraqitur dobët me Manchester United, me vetëm 5 gola të shënuar në 37 ndeshje. Shumë pak për një lojtar me kontratë tepër fitimprurëse.

Overmars, i cili kaloi tri vite tek Arsenali (1997-2000), beson se amerikano-jugori mund të pendohet për lëvizjen e tij te Manchester United. Duke folur për “ADN Deportes”, holandezi nënvizoi: "Unë kam respekt të madh për Alexis, sepse ka bërë shumë mirë tek Arsenali. Nuk mendoj se ishte një vendim i mirë për t'u larguar që aty. Futbolli anglez të ndryshon, por kur mendon se ke bërë një hap përpara dhe ndodh e kundërta, ia vlen të kthehesh aty ku ishe mbret”. 

Ndërsa Sanchez pati sukses të konsiderueshëm tek Arsenali, duke shënuar 80 gola në 166 ndeshje, historia e tij ka qenë e varfër në “Old Trafford”. Për pasojë, spekulimet sugjerojnë se ai mund të largohet nga “Djajtë e Kuq” për ish-klubin e tij, duke parë se ka rezultuar një “eksperiment” i dështuar në Manchester.

Overmars është i mendimit se një kthim tek Arsenali, në një mjedis të njohur për të, do ta nxirrte sërish në pah potencialin e madh të sulmuesit nga Kili. Holandezi shtoi: "Ky lloj lojtari ishte shumë i rëndësishëm për Arsenalin, sepse aty është “habitati” i tij. Pas Alexis, Arsenali u përpoq të nënshkruante me një lojtar të tillë, por nuk ka qëlluar dot në shenjë. Kësisoji, ai mund të kthehet tek Arsenali dhe të dyja palët të jenë të lumtura".

Sanchez nënshkroi një kontratë 4+1-vjeçare në “Old Trafford”, me atë marrëveshje që synonte të shkonte deri në verën e vitit 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat