Merkato dhe grupi i Europianit, Ismajli tregon kush e bindi për Shqipërinë

Futboll

Merkato dhe grupi i Europianit, Ismajli tregon kush e bindi për Shqipërinë

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 11:09
Ardian Ismajli

Kur u bë "luftë" për mbrojtësin Ardian Ismajli nga Shqipëria dhe Kosova për ta afruar në skuadër dhe në horizont shfaqej Kroacia, nuk kuptohej. Nuk e njihnim shumë si lojtar dhe nuk i dinim cilësitë e tij, po flisnim për një mbrojtës që luante me ekipin e dytë të Hajduk Splitit. U duk më shumë si ekzagjerim dhe fjalë jashtë fushe se sa cilësi brenda saj. 

Gabuam të gjithë! Ardian Ismajli ka cilësi dhe po e shfaq ndeshje pas ndeshje. 22-vjeçari ka fituar vendin e tij si titullar në ligën e parë kroate dhe po bën mjaft mirë. Ai po vendos veten në mbrojtësit më të mirë të Kroacisë, me pak fjalë duhet të jemi të lumtur që ai ka zgjedhur Shqipërinë, pasi kemi fituar një lojtar me të ardhme. 

Në një intervistë të tij për mediet kroate i rikthehet çështjes së ndryshimit të kombëtares dhe përzgjedhjes së Shqipërisë duke lënë Kosovën, pavarësisht thirrjes së trajnerit Bernard Challandes. "Panucci më kërkoi që t'i bashkohesha dhe iu përgjigja pozitivisht. Kam luajtur mirë dhe shpresoj të bëhem titullar i rëndësishëm. 

"Ne kemi një grup shumë të vështirë për eliminatoret e Europianit. Ne presim ndeshjen hapëse kundër Turqisë. Besoj se jemi të fortë sa duhet dhe do të jemi në gjendje të arrijmë suksese".  

Mbrojtësi po luan mjaft mirë dhe zërat e merkatos janë të pranishme te ai. Në takimin e fundit ndaj Lokomotivës së Zagrebit u përfol se skautë të Shakhtar Donetsk-ut ishin të pranishëm për ta ndjekur. Shqiptari tregohet i qartë dhe i qetë. "Merret menaxheri im me zëra të tillë. Do të shohim se çfarë mund të ndodhë, mua më intereson vetëm të luajë mirë me Hajdukun", - tha ai ndër të tjera. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat