Mesfushori shqiptar nuk di të ndalet me gola, në formacionin e javës në Sllovaki
Mesfushori shqiptar i cili aktivizohet në kampionatin sllovak me ekipin e Ruzemberok, Kristi Qose, shënoi këtë fundjavë golin e dytë në triumfin 4:0 që skuadra e tij arriti në kampionat përballë Z.Moravce.
Për Qosen ky ishte goli i 6-të në 17 javë, teksa shqiptari është shndërruar në një protagonist absolut te Ruzemberok. Por, përveç golit, mesfushori nga Bilishti është vlerësuar edhe për paraqitjen e tij. 23-vjeçari është përfshirë në formacionin e javës së 19-të, siç ka bërë edhe disa herë të tjera këtë sezon.
Një lajm mjaft i mirë ky, për një lojtar që duket gjithmonë e në rritje, dhe mund të jetë një përforcim i denjë për mesfushën e Kombëtares shqiptare.