Përparësitë e Besës

Futboll

Përparësitë e Besës

Nga: Kemajl Goca Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 19:40
Robert Gjeraj

Besa nga Peja ka mobilizuar forcat që ta ruajë vendin e dytë eventualisht ta marrin edhe kreun e tabelës në Ligën e Parë të Kosovës, dy pozita që shpien direkt në elitën e futbollit të Kosovës. Pejanë janë në vend të dytë me 35 pikë, ngecin për 3 nga kampioni vjeshtor, Vushtrria dhe kanë dy më shumë se Dukagjini në pozitën e tretë dhe tri se Vitia që pozicionohet i katërti. Diferenca e ngushtë me pikë mes këtyre skuadrave dëshmon se sa luftë e ashpër do të jetë në pranverë për dy vendet e para, pa e harruar edhe Vëllaznimin nga Gjakova, që renditet në pozitën e pestë me 29 pikë. 

Futbollisti me përvojë, Robert Gjeraj, i cili është kthyer në janar në ekipin e Besës, është optimist, se do të rikthehen në elitë. Mbrojtës – mesfushori shprehet se janë një ekip e kompletuar dhe beson se të dielën e fundjavës, do të fitojnë pikë në derbin e javës së 17-të, si mysafirë kundër Vitisë.  Gjeraj tha se janë përgatitur maksimalisht dhe po ashtu janë të gatshëm për sfidat e reja në pjesën e dytë të kampionatit.

“Bota sot”: A është Besa e gatshme për pjesën e dytë të kampionatit?

Robert Gjeraj: Mendoj që do ta vazhdojmë rrugën deri në synimet e klubit, për t’u rikthyer në Superligë.

“Bota sot”: A mendoni se Besa ka forcë të rikthehet në elitë?

Robert Gjeraj: Unë mendoj që ka forcë për t’u rikthyer sepse ka potencial dhe kushte qe të rikthehet aty ku edhe e ka vendin.

“Bota sot”: Ku i sheh përparësitë e Besës?

Robert Gjeraj: Besa ka përparësi në boshtin e ekipit, që e ka ruajtur të vitit të kaluar bazën kryesore dhe kjo është kryesorja për një ekip që të futet në Superligë. Plus me përforcimet e bëra Besa është një ekip shumë stabile për vazhdim të kampionatit.

“Bota sot”: Cilat skuadra luftojnë për dy vendet e para?

Robert Gjeraj: Unë mendoj që janë 4 ekipe, si Besa, Vushtrria, Vëllaznimi dhe Dukagjini.

“Bota sot”: A mendoni se do të jetë rivalitet i madh?

Robert Gjeraj: Mendoj se rivaliteti do të jetë edhe më i madh se në Superligë sepse janë 4 ekipe që duhet të jenë në Superligë e që janë në ligë të parë, kjo e bën ligën më interesante dhe garën për t’u fut në Superligë.

“Bota sot”: Të dielën luan në udhëtim me Vitinë, a kërkoni tri pikë dhe sa do të jetë vështirë?

Robert Gjeraj: Mendoj se në çdo ndeshje ne hyjmë për tri pikë dhe për asnjë rezultat tjetër, por pak na penalizon fusha e keqe në Viti, mirëpo do të jemi të përgatitur shumë për çdo vështirësi që na paraqitet.

“Bota sot”: Çfarë iu premtoni shikuesve?

Robert Gjeraj: Shikuesve ju premtoj atë që e presin nga ne, futjen në Superligë me angazhim maksimal për çdo ndeshje dhe me pru Besën aty ku e ka vendin në Superligë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat