Sarri: Ja çfarë na duhet, që të shmangim “katastrofën” ndaj Manchester City

Futboll

Sarri: Ja çfarë na duhet, që të shmangim “katastrofën” ndaj Manchester City

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 10:10
Maurizio Sarri

Maurizio Sarri ka thënë se ka në plan t'iu japë lojtarëve më shumë liri mendore përpara finales së “Carabao Cup”, të cilën Chelsea do ta luajë kundër Manchester City, kundërshtar nga i cili blutë kanë një humbje të freskët shokuese 6-0. 

Trajneri italian është i njohur për rutinat e tij të punës: udhëzimet strikte taktike, përdorimin e madh të analizës me video, por do t’i lehtësojë të tijtë në këtë drejtim përpara ballafaqimit të së dielës me kampionët e Premier League. 

Megjithëse Chelsea u shkatërrua nga “qytetarët” më 10 shkurt, blutë e Londrës ia dolën t’i mposhtin të besuarit e Pep Guardiolës 2-0, vetëm dy muaj më parë. Sarri do t’i analizojë të dyja këto ndeshje dhe ka vendosur ndryshimin e qasjes së tij përpara finales së të dielës.

"Unë mendoj se ishim me fat në ndeshjen e parë kundër Manchester City, sepse patëm telashe të konsideruershme në pjesën e parë, - u tha Sarri gazetarëve. - Ne shënuam në minutën e fundit të asaj pjese dhe pastaj ndeshja ndryshoi. Ishim të pafat në ndeshjen e dytë, sepse e filluam shumë mirë për pesë minuta, pastaj pësuam gol nga një gabim trashanik dhe nuk ishim në gjendje të reagonim. Një fatkeqësi.

Mendoj se e vërteta është në mes. Nuk është e vërteta në fitoren 2-0 të dy muajve më parë, as në humbjen 6-0 të dy javëve më parë. Për ne është me të vërtetë shumë e rëndësishme që të qëndrojmë në ndeshje për një kohë sa më të gjatë. Kjo do të na japë shansin tonë më të mirë.

Në këtë ndeshje, për 30 minuta pashë një ekip shumë të shqetësuar, pa besim, kështu që nuk dua t'i ngarkoj me presion lojtarët e mi në në stërvitje. Dua që mendjet e tyre të jenë shumë të çliruara. Ne do ta përgatisim ndeshjen vetëm të shtunën, mendoj, në 60 minuta dhe jo më shumë.

Situata ime? Në fund të fundit, gjërat më të rëndësishme në futboll janë rezultatet. Pa ato, gjithçka tjetër është e kritikueshme. Në punën time kam nevojë për rezultatin, për asgjë tjetër".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat