Sarrit i vendosin ultimatum

Futboll

Sarrit i vendosin ultimatum

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 13:36
Sarrit i vendosin ultimatum

Tensioni në radhët e Çelsit është në stratosferë dhe sikur të mos mjaftonte bllokimi i merkatos nga ana e UEFA-s, dje ka qarkulluar edhe një tjetër lajm bombastik brenda qendrës stërvitore të bluve të Londrës. Pavarësisht kualifikimit për në 1/8-at e Ligës së Europës, Mauricio Sarri duket se ka vetëm ndeshjen e radhës për të shpëtuar pankinën e tij.

Nesër pasdite, në orën 17:30, Çelsi do të luajë finalen e Kupës së Ligës kundër Mançester Sitit dhe ky trofe është ai që mund të zgjasë bashkëjetesën e trajnerit italian në krye të skuadrës.  Në rast të një humbjeje përballë skuadrës së Pep Guardiolës, duket se drejtuesit e Çelsit kanë gjetur trajnerin me kohë të  pjesshme që do ta dërgojë skuadrën deri në fund të këtij sezoni. Sipas asaj që raporton media angleze në kor, ai që do të pasojë Mauricio Sarrin në stol është Stiv Holand, aktualisht ndihmësi i Garet Sauthgejtit në Kombëtaren e Anglisë.

48-vjeçari e njeh mirë ambientin në “Stamford Bridge”, duke qenë se ka punuar 7 vite aty (2011-2017), si pjesë e stafit të Zhoze Murinjos, Rafael Benitezit, Antonio Kontes, Roberto Di Mateos, Andre Vijas Boashit, apo edhe deri me Gus Hidink. Fatkeqësisht, për Mauricio Sarrin kjo bashkëjetesë e rënduar ka nisur prej kohësh, por këtë herë duket se trajneri ka mbërritur realisht buzë greminës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat