Nga Allegri tek Zidane, ja 6 trajnerë me të ardhme të paqartë

Futboll

Nga Allegri tek Zidane, ja 6 trajnerë me të ardhme të paqartë

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 09:55
Zidane

Janë gjashtë trajnerë për të cilët e ardhmja mbetet ende mister edhe pse jemi në fund të muajit shkurt.

Emra të mëdhenj të futbollit botërorë që kanë fituar trofe me skuadrat e tyre, por që pritet të ndryshojnë skuadër ose edhe të fitojnë një punë të re, pasi aktualisht janë pa një të tillë.

Allegri

Trajneri aktual i Juves pritet të largohet nga Torino në fund të këtij sezoni. Edhe pse titullin e ka të sigurt, eliminimi në Kupë dhe disavantazhi prej dy golave në Champions ndaj Atelticos kanë lënë shije të keqe tek drejtuesit e klubit bardhezi. Real Madrid është duke monitoruar situatën e tij, ndërsa edhe Chelsea mund të jetë në kërkim të një trajneri këtë verë.

Conte

Duket se Antonio Conte ka pushuar mjaftueshëm dhe këtë verë pritet të rikthehet në drejtim të ndonjë klubi. Edhe pse kontesti i tij me skuadrën e Chelseat ende nuk është zgjidhur dhe do të përfundojë në gjykatë, italiani preferon që të gjejë një skuadër. Inter është destinacioni i tij më i mundshëm me Marottan që është zgjedhur drejtor sportiv e të dy e njohin shumë mirë njëri-tjetrin.

Mourinho

Ka dy vite që Mourinho nuk ka fituar asnjë trofe dhe për një trajner të kalbirit siç është portugezi kjo është një kohë e gjatë. Së fundmi ai është angazhuar si komentator sportiv në disa televizione, por e ka pranuar se po i mungon fusha dhe është në kërkim të një skuadre. Mediat e kanë lidhur me Real Madrid, por edhe me PSG, në rast se francezët nuk arrijnë ndonjë sukses në Europë këtë sezon.

Sarri

Pak kush e beson se Sarri do të jetë tek Chelsea pas këtij sezoni. Ai është vënë në qendër të kritikave pas humbjeve radhazi. Edhe lojtarët duket se nuk po i bindën më trajnerit italian. Ekipi i Romës është shumë i interesuar të risjellë Sarrin në Itali dhe kanë një projekt që mund të bindë trajnerin aktual të bluve të Londrës.

Spalleti

Drejtuesit kinezë i dhanë mbështetje në periudhën më të errët në të cilën kaloi skuadra, por Spalleti duket se nuk do të vazhdojë me Interin. Klubi dhe tifozët kërkojnë një trofe dhe Europa Legaue është e vetmja mundësi. Po ashtu, minimumi që kërkohet nga Spalleti është një vend që dërgon në Champions sezonin e ardhshëm.

Zidane

Që prej largimit nga Real Madrid, Zidane ka pasur shumë oferta. Mirëpo, francezi vendosi që të kalonte disa muaj relaksi para se të niste një projekt të ri. Juventus mund të jetë ekipi i tij i ri, por nuk mungojnë as ofertat nga Anglia. Chelsea është e interesuar të sjellë francezin dhe të rikthejë lavdinë, por mund të ketë konkurrencë nga Manchester United. Gjithsesi, pas rezultateve pozitive, “djajtë” mund t’i japin kontratë legjendës së tyre, Solslkjaer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat