Tite: Ja pse e meriton ftesën e kombëtares...

Futboll

Tite: Ja pse e meriton ftesën e kombëtares...

Më: 1 mars 2019 Në ora: 11:33
Tite: Ja pse e meriton ftesën e kombëtares

Trajneri i Brazilit, Tite, tha se Vinicius Junior e meritoi ftesën për herë të parë në kombëtare, ndërsa evidentoi talentin e “adoleshentit” të Real Madridit. Vinicius është thirrur në kombëtaren e parë të vendit të tij për miqësoren kundër Panamasë, më 23 mars, para se Brazili të përballet edhe me Republikën Çeke tri ditë më vonë, më 26 mars.

18-vjeçari ka pasur një sezon mbresëlënës debutues me kampionët europianë të Real Madridit, ku e ka vendosur veten si një pjesë kyçe në formacionin titullar, pas transferimit prej 45 milionë euro nga Flamengo. Vinicius ka shënuar katër gola në të gjitha garat për “Los Blancos” në këtë sezon. 

Duke iu referuar atij, trajneri Tite u tha gazetarëve: "Jam i hapur për talentet e rinj, dua t'i inkurajoj ata. Nëse janë të përgatitur për të luftuar e për të luajtur me ekipe të shkëlqyera, teknikisht dhe emocionalisht, kanë vlera edhe për kombëtaren. Kjo filozofi pune më bëri ta thërras Vinicius. Ai po luan titullar te Real Madridi, çka është mbresëlënëse. Të gjithë i kemi parë performancat e tij. 

Kjo analizë është sasiore, por edhe cilësore. Sasia na jep informacionin bazë, cilësia duket me sy. Lojtarët që kanë një potencial të tillë dhe që po e tregojnë atë në nivel klubi do të thirren në kombëtare. Edhe pse do të kemi pak kohë për t’u stërvitur, dua t'i jap atij mundësinë të rritet dhe të përmirësohet. Ky është konfirmim i talentit dhe evolucionit të tij".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat