Rexhepi në qiellin e shtatë që mundi Prishtinën

Futboll

Rexhepi në qiellin e shtatë që mundi Prishtinën

Më: 2 mars 2019 Në ora: 17:17
Rexhepi në qiellin e shtatë që mundi Prishtinën

Me fitoren ndaj Prishtinës (1:0), Llapi i ka ruajtur shpresat për titullin e kampionit, megjithëse është 7 pikë larg Feronikelit që e kryeson renditjen. Trajneri, Xhengis Rexhepi, ka theksuar se skuadra e tij dominoi në tërësi ndaj Prishtinës dhe fitorja ishte plotësisht e merituar.

“E kemi merituar fitoren, pasi që e kemi dominuar ndeshjen në tërësi. Krijuam shumë raste dhe kjo është gjë pozitive, sidomos të krijosh ndaj një kundërshtari si Prishtina, të cilin e shohin gjithë si ndër pretendentët kryesorë për titull. Këtë gjë e dëshmuam edhe në ndeshjen e kaluar ndaj Feronikelit, por për dallim nga ndeshja e kaluar, në këtë përballje ne funksionuam në të gjithë zonat dhe në fund e arritëm rezultatin e kërkuar. Merita për këtë u takon futbollistëve të cilët po luajnë futboll modern gjatë 90 minutave dhe po i mësojnë të tjerët se si luhet futbolli”, deklaroi Rexhepi.

Ai ka shtuar se në bazë të lojës së treguar, skuadra e tij duhej të fitonte me rezultat më bindës.

“E kemi ditur se fitorja ishte opsioni i vetëm për ne në këtë përballje, pasi që vetëm tre pikët na mbanin në garën për titullin kampion. Kjo ndoshta dikoi te futbollistët që të mos kenë qetësinë e duhur në momentet e caktuara dhe krejt kjo falë dëshirës dhe entuziazmit për ta fituar ndeshjen. Në dhomat e zhveshjes u thashë futbollistëve që ne jemi skuadër më e mirë se Prishtina, por vetëm duhet ta ruajmë qetësinë dhe të përfundojmë aksionet që po ndërtojmë. Goli u shënua si një variacion të cilin e praktikojmë vazhdimisht dhe kjo dëshmoi për cilësinë që ka ekipi ynë. Po të realizonim mundësitë e tjera që kishim rezultati do të ishte edhe më i thellë”, përfundoi Rexhepi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat