Historike: Barça parakalon Realin pas 87 vitesh

Futboll

Historike: Barça parakalon Realin pas 87 vitesh

Më: 3 mars 2019 Në ora: 00:16
Leo Messi

Barcelona ka mundur dy herë Real Madridin në harkun e katër ditëve. Pasi i ka eliminuar “Los Blancos” në Kupën e Mbretit, skuadra e Valverde i ka nxjerrë edhe jashtë luftës për titull në La Liga pas fitores 1-0 të marrë mbrëmjen e sotme në “Bernabeu”.

Madrilenët kanë luftuar deri në fund, edhe duke përdorur bërrylat (Ramos kundër Messi-t), kanë shkuar disa herë afër golit me Vinicius, edhe sot më i miri në fushë për Real-in, por nuk kanë arritur të shmangin humbjen e radhës.

Një gol i Rakitic (26′) i ka mjaftuar miqve që të largohen fitimtarë nga “Santiago Bernabeu” dhe të shkojnë 12 pikë larg “merengues” në renditje, ku kryesojnë me 60 pikë. Nuk mbaron me kaq, sepse kjo ka qenë një fitore historike për katalanasit në ndeshjet e luajtura kundër Real Madrid.

Ky ka qenë “Clasico” numër 242 mes dy gjigantëve të Spanjës dhe Barcelona, për herë të parë në 87 vite, ka parakaluar rivalët e përjetshëm në përballjet direkte të zhvilluara në të gjitha kompeticionet: 96 fitore për katalanasit, 95 për madrilenët, 51 barazimet. “Clasico” i parë është luajtur në 31 janarin e vitit 1932 dhe është fituar 2-0 nga Real Madrid.

Gjithashtu, Barcelona ka shënuar në 23 ndeshjet e fundit që ka luajtur kundër Real Madrid në La Liga, ecuria më e mirë për një ekip në historinë e “Klasikeve” të zhvilluara në këtë kompeticion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat