Kapiteni dhe qendërmbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, e ka komentuar incidentin me Lionel Messin, gjatë El Clasicos.
Sipas spanjollit, Messi e shkaktoi zënkën, pasi që ndiente se duhej të bëhet protagonist në ndeshje në ndonjë lloj mënyre.
Ramos, e goditi me dorë Lionel Messin gjatë një aksioni, edhe pse nuk është e qartë nëse e bëri këtë gjë me qëllim. Messi mbeti i shtrirë në fushë nga ky incident, mirëpo gjyqtari Alberto Undiano Mallenco nuk e konsideroi të parregullt dhe e sinjalizoi vazhdimin e lojës.
Pas kësaj, Messi u ngrit në këmbë dhe aty filloi një zënkë me Ramosin, kur të dy futbollistët i përplasën kokat me njëri-tjetrin.
"Nuk e godita qëllimisht Messin, por ai nuk e priti aspak mirë atë gjë. Kam përshtypjen se kur nuk shënon, detyrohesh të bësh diçka tjetër", ka thënë Ramosi.
Një lloj zënke filloi edhe mes të gjithë lojtarëve pasi gjyqtari e sinjalizoi përfundimin e ndeshjes, mirëpo gjithçka përfundoi shumë shpejt dhe të dy skuadrat u drejtuan për në zhveshtoret e Santiago Bernabeut.
Barcelona e filloi këtë ndeshje me rezultat 1:0. Tri pikët e fituara nga kjo ndeshje bëjnë që Barcelona ta përforcojë pozitën e parë në tabelën e La Ligës, plot 12 pikë para “Los Blancos” e dhjetë pikë para Atletico Madridit.