Titulli në dorë të Manchester City, tifozët kundër Klopp: “Pse Shaqiri nuk po luan më?”

Futboll

Titulli në dorë të Manchester City, tifozët kundër Klopp: “Pse Shaqiri nuk po luan më?”

Më: 3 mars 2019 Në ora: 23:44
Xherdan Shaqiri

Liverpooli ka barazuar 0-0 me Evertonin në xhiron e 29 në Premierligë dhe ka humbur kryesimin, që tani prin Manchester City me një pikë më shumë.

Janë vështirësuar gjërat për Liverpoolin dhe duket se ëndrra për titull të kampionit, mund të mbetet sërish vetëm ëndërr.

Skuadra e Jurgen Klopp, befasisht, nuk ka mundur që të marrë më shumë se një pikë në derbin e Liverpulit kundër Evertonit në stadiumin “Goodison Park”, duke barazuar 0-0 dhe kështu, titulli tani është në duar të Manchester City, që ka një pikë më shumë se “Redsat”, 71 me 70.

Në këtë ndeshje, nuk luajti asnjë minutë Xherdan Shaqiri, para të cilit në lojë u inkuadruan Firmino, Milner dhe Lallana.

Me të përfunduar takimi, tifozët kanë nisur kritikat ndaj Jurgen Klopp, të cilët s’po mund të kuptojnë “pse nuk luajti Shahqiri?”.

Ata kanë mbetur të befasuar me mos hedhjen në fushë të shqiptarit në një ndeshje që iu duhej patjetër fitorja për të vazhduar ëndrrën drejt titullit.

“Pse nuk po luan më Shaqiri, pse?”, “Lallana hyn në pjesë të dytë, kur aty kem Shaqirin, Sturridgen e Keitan”, “Kishim opsione për pjesë të dytë me Shaqiri e Keita, por inkuadruam Milner dhe Lallana”, “Si është e mundur që nuk u inkuadruan Shaqiri e Keita kur fitorja ishte e nevojshme”, janë disa nga postimet e shumta të tifozëve në “Twitter”.

Ky gabim i ka kushtuar Liverpoolit me humbjen e kreut nëntë ndeshje para fundit të edicionit në Premierligë.

Liverpooli tani ka zbritur në pozitën e dytë me 70 pikë të grumbulluar, një më pak se Manchester City i Pep Guardiolës, që ka 71.

Liverpooli ka plot 29 vjet që nuk e ka fituar titullin e Premierligës dhe tifozët e klubit kishin besuar se këtë ecuri të keqe do ta përfundonin këtë sezon.

Mirëpo, ata tani e kanë humbur kontrollin dhe duhet shpresuar që Manchester City t’i humbë disa pikë në ndeshjet e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat