Ish-futbollisti, shtylla e skuadrës Trepça, pedagogu dhe trajneri modest që mbi 55 vite kontribuoi për futbollin mitrovicas dhe atë të Kosovës – Rexhep Xhaka

Futboll

Ish-futbollisti, shtylla e skuadrës Trepça, pedagogu dhe trajneri modest që mbi 55 vite kontribuoi për futbollin mitrovicas dhe atë të Kosovës – Rexhep Xhaka

Nga: F. B. Më: 5 mars 2019 Në ora: 08:58
Rexhep Xhaka

Familja Xhaka në qytetin e sporti dhe kampionëve në Mitrovicë njihet si familje e sportistëve, ndërsa ai që mbajti gjallë emrin futbollist i pa kompromis, pedagog, punëtor sportiv, trajner edhe prind e gjysh i shkëlqyer, që respektohet nga të gjithë sportistët është padyshim Rexhep Xhaka.

Rexha si e thërrasin bashkëlojtarët është i lindur më  4 mars 1945 në Mitrovicë në një familje sportistësh. karrierën futbollistike e fillon në moshën 13 vjeçare si pionier tek Klubi i Futbollit Trepça ( në vitin  e largët 1958).

Ndonëse në kushte të vështira (është koha kur serbët udhëhiqnin jo vetëm me sportin por edhe jetën në përgjithësi) dhe ku depërtonin dhe pranoheshin në klub vetëm ata që ishin disa shkallë më të mirë se ndonjë serb, por këmbëngulja, fryma luftarake dhe shpejtësia me teknikën që posedonte Rexha i la pa fjalë drejtuesit e atëhershëm.

Image

Rexhep Xhaka po atë viti ka qenë edhe pjesë e reprezentacionit të atëhershëm të Kosovës për grupmosha të reja. Kurse në vitin 1961, fal paraqitjeve të mira Xhaka kalon në klubin tjetër të qytetit KF Remont me arsyetimin se ka qen punëtor i Remontit (fabrika në Mitrovicë) deri në vitin 1966.

Duke parë lojërat dhe shkëlqimin e tij në Remont në një rang më të ultë të garave por edhe duke përmbushur nevojën për një futbollist të kompletuar në vitin 1967 Xhaka kthehet në ekipin ku filloj të luaj futboll në KF Trepça si lojtar i ekipit të parë, si dhe pjesë e reprezentacionit të Kosovës.

Futbollisti mitrovicas Xhaka në vitin 1972 ka qenë pjesë e reprezentacionit të  Kosovës, udhëtoi në Shqipëri për ndeshje miqësore me ekipe të ndryshme.

Futbolldashësit e mbajnë mend Rexhep Xhakën si futbollist që ka qenë zemra e skuadrës, duke “lënë shpirtin” për ngjyrat gjelbër e zi, duke qenë bindshëm futbollisti më kontribuues dhe shpesh edhe vendimtar në shumë ndeshje.

Në vitin 1975 Rexhep Xhaka ka qenë pjese e ekipit të Trepçës në kualifikimet për Ligën e Parë të ish- Jugosllavisë në dy ndeshje me skuadrën Buduqnost të Podgoricës (Titogradit të asaj kohe) dhe me OFK Beograd skuadrën beogradase.

Po atë vit Xhaka ka qenë pjesë e Reprezentacionit të Kosovës, në turneun e republikave dhe krahinave të Jugosllavisë të ashtuquajtur "Bashkim-Vëllaznim" ku pjesëmarrës ishin Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Vojvodina dhe Serbia.

Në vitin 1977 Rexhep Xhaka ishte një ndër lojtarët kryesor kur Trepça për herë të parë një ekip nga Kosova bëhet pjesë e Ligës së Parë të Jugosllavisë. Në po të njëjtin vit - 1977 , Rexhep Xhaka laun edhe lojën lamtumirëse me një ekip nga Kulumbia.

Image

Rexhep Xhaka sipas të dhënave në klubin futbollistik KF Trepça ka zhvilluar më shumë se 600 ndeshje zyrtare, rekord që vështirë mund të thyhet.

Rexhep Xhaka pas braktisjes se futbollit aktiv ka vazhduar me postin e ndihmës trajnerit (Dushan Varagiq) për një kohë të shkurtër.

Kurse nga viti 1979 e deri më vitin 1990 ka vazhduar me punën e trajnerit me kategori të reja të shkollës së futbollit KF Trepça, ku më pas u largua nga puna si të gjithë shqiptarët në atë kohë .

Pas luftës në Kosovë në vitin 2000, Rexhep Xhaka ka rifilluar punën e trajnerit në KF Trepça për deri në vitin 2002/2003.

 Dhe nga viti 2003 deri më 2014 ka kryer punën e trajnerit me kategori të reja në Klubin e Futbollit KF Trepça'89 në Mitrovicë.

Baca Rexhep  njihet si sportist shumë modest, ai kurrë nuk hezituar të këshilloj, mësoj dhe stërvit ata që ia kanë kërkuar, ndërkohë që ka nxjerr shumë gjenerata të futbollistëve, ai gëzon një respekt posaçërisht në botën e sportistëve në qytetin buzë Ibrit.

Xhaka mbetet njëri ndër sportistët më kontribuues në qytetin e Mitrovicës me një bagazh të gjatë të ushtrimit të sportit, qoftë si futbollist, trajner, pedagog, punëtor sportiv edhe një familjar.

Mbi 55 vite ia kushtoi qytetit të tij dhe sportit më të popullarizuar futbollit, njerëz si baca Rexhë duhet të nderohen edhe nga institucionet qendrore e lokale të sportit, pasi ata janë motivues dhe idol të shumë gjeneratave, së bashku me futbollistët e njohur mitrovicas, Shosholli, Ademi, Prekazi, Seferi, Çubreli, Rrahmani, Rama e shumë merave tjerë, që ishin sinonim i sportit dhe futbollit të Mitrovicës dhe Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat